Kandidati i Kushtetueses ‘ngel’ në vetting, Ilir Mustafaj: Do ankimoj vendimin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj. Prej më shumë se një viti, Mustafaj ishte në pritje për tu bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë seancës dëgjimore Mustafaj kërkoi dhe ndërrimin e trupit gjykues për shkak të konfliktit që kishte me relatoren Xhensila Pine, por kjo kërkesë u rrëzua. Pas vendimit të KPK-së ai u shpreh se vendimin do ta ankimojë në instancat më të larta.

“Ilir Mustafaji është një gjyqtar me 23 vite karrierë në sistemin e dretjësisë dhe jam i vetmi që mbaj titullin profesor doktor në sistemin e drejtësisë. Me vendimin e sotëm të Komisionit nuk ka humbur Ilir Mustafaj si individ, pasi Ilir Mustafaj do e ankimojë këtë vendimi në instancat më të larta dhe jam i bindur  që do vendosin pro tij. Sot ka humbur vendi, ka humbur Gjykata Kushtetuese, e cila nuk do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm, profesional, të karrierës dhe një profesor të së drejtës.

Kam mbështetur fort reformën në drejtësi, institucionin e vettingut dhe gjithçka që është bërë në të mirë të reformës së drejtësisë.

Sot kundërshtoj fort vendimin e Komisionit që është marrë në kundërshtim me provat që janë administruar, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me Konventën Evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, tha Musafaj pasi u njoh me vendimin  KPK-së.

As drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Ardian Ylli, nuk ka mundur që ta kalojë vettingun. Analiza financiare, prej së cilës ai rezultonte me bilanc negativ dhe me shpenzime të pambuluara me të ardhura të ligjshme ishte dhe arsyeja që Ylli nuk mundi të kapërcejë sfidën e vettingut./TCH/

Leave a Reply