KE miraton 70 milionë € për vaksinat e Ballkanit Perëndimor

Granti synon nisjen sa më shpejt të vaksinimit për shtresat në nevojë

Komisioni Evropian miratoi grantin prej 70 milionë euro si ndihmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të sigurojnë nisjen sa më shpejt të vaksinimit të popullsisë kundër COVID-19ës.

Lajmin e bëri të ditur komisioneri për zgjerimin Oliver Varheji, i cili e konsideron fondin si shenjë se unioni i sheh si partnerë të privilegjuar vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“Do të vazhdojmë të veprojnë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave për të mundësuar nisjen sa më shpejt të fushatës me shtresat më të rrezikuara. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”.

Në deklaratën e Komisionit Evropian thuhet se vendet anëtare do të venë në dispozicion të shteteve të Ballkanit Perëndimor një numër dozash të vaksinave nga ngarkesat që kanë marrë në bazë të marrëveshjeve që Brukseli ka arritur me 6 kompani të mëdha farmaceutike.

Vendet e rajonit mund t’i blejnë këto doza duke përdorur pjesën që i takon të grantit të akorduar nga Komisioni Evropian. Pjesën tjetër për fazën e vaksinimit të gjerë të popullsisë, shtetet e Ballkanit Perëndimor do ta sigurojnë nga nisma COVAX, ku Bashkimi Evropian është po ashtu kontributori kryesor.

Leave a Reply