Koha për të shëruar Amerikën

“Popull, njerëzit e këtij vendi folën. Na e dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse”, tha presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në fjalimin e parë pas fitores.

“I përulem besimit që më keni dhënë. Zotohem se do të jem president që nuk përpiqet të ndajë, por të bashkojë, që nuk sheh shtete të kuqe dhe shtete të kaltra, por vetëm Shtete të Bashkuara”, tha Biden.

Ai foli në shtetin e tij Dellauer, disa orë pasi mediat amerikane parashikuan fitoren e tij në shtetin e Pensilvanisë, me të cilën tejkaloi 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për t’u zgjedhur president.

Biden garoi në zgjedhjet e 3 nëntorit kundër presidentit aktual, Donald Trump, i cili tha se nuk e pranon rezultatin dhe se do ta sfidojë në gjykatë.

“Le t’i japim njëri-tjetrit shansin. Është koha të ndalojmë retorikën e ashpër, të ulim temperaturën, të shohim njëri-tjetrin, të dëgjojmë njëri-tjetrin… të ndalojmë t’i trajtojmë kundërshtarët tanë si armiq”, tha Biden në fjalimin që u transmetua drejtpërdrejt në mediat amerikane.

Ai citoi Librin e Predikuesit, duke thënë se ka “kohë për gjithçka”. “Kjo është koha për të shëruar Amerikën”, tha Biden.

“Do të punoj po aq shumë si për ata që nuk më votuan, si për ata që më votuan”, u zotua Biden.

Ai tha se detyra e tij e parë do të jetë vendosja nën kontroll e pandemisë së koronavirusit.

“Është mënyra e vetme që të mund t’i kthehemi jetës normale”, tha Biden dhe shtoi se “nuk do të kursejë asnjë përpjekje” për t’i dhënë fund pandemisë.

“Sonte, e gjithë bota po shikon Amerikën dhe besoj se Amerika është një fener për globin”, tha Biden.

“Le të jemi kombi që e dimë se mund të jemi. Një komb i bashkuar, një komb i forcuar, një komb i shëruar”, tha ai, teksa përfundoi fjalimin.

Biden u ftua në skenë nga nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, gruaja e parë me ngjyrë që fitoi këtë pozitë.

“Ju zgjodhët shpresën, unitetin, mirësjelljen dhe të vërtetën. Ju zgjodhët Joe Bidenin president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara”, tha Harris në fjalimin e saj.

“Joe është një shërues. Një person, përvoja me humbje e të cilit i jep atij një ndjenjë qëllimi, që do të na ndihmojë ne si komb ta rikthejmë ndjenjën tonë të qëllimit”, tha Harris.

Harris e vlerësoi Bidenin për “guximin” për të thyer barrierat dhe për të zgjedhur një grua për nënpresidente.

”Unë mund të jem gruaja e parë në këtë zyrë, por nuk do të jem e fundit”, tha ajo.

Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar, 2021.

Biden ka shërbyer në Uashington për gati gjysmë shekulli, përfshirë 35 vjet si senator dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e Barack Obamës – nga viti 2009 deri më 2017.

Ai ka lindur në vitin 1942 në qytetin Skranton të Pensilvanisë, në një familje të klasës së mesme katolike romake.

Presidenti Trump, i cili ishte duke luajtur golf kur rrjetet kryesore televizive parashikuan që rivali i tij kishte fituar, akuzoi menjëherë zotin Biden se po nxitonte të paraqitej në mënyrë të padrejtë si fitues”.

“Këto zgjedhje janë larg së përfunduari,” tha ai në një deklaratë.

Ekipi i presidentit Trump tha të shtunën se kishte ngritur padi në Arizona, në të cilën pretendon se qarku më i populluar i këtij shteti jugperëndimor skualifikoi në mënyrë të gabuar një numër votash të hedhura ditën e zgjedhjeve nga disa votues.

Leave a Reply