Komisioni refuzon Holandën, vizat për Shqipërinë nuk rikthehen

Komisioni Evropian ka refuzuar kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të KE-së, Shqipëria nuk ndodhet në rrethanat kur mund të vihet në lëvizje mekanizimi për pezullimin e vizave.

Gjithsesi, Komisioni thekson se do të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve nga Shqipëria.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, thuhet në reagimin e KE-së.

Parlamenti i Holandës miratoi disa muaj më parë një rezolutë ku udhëzonte Qeverisë që të kërkonte nga Brukseli rikthimin e vizave për vendin tonë. Deputetët holandezë vinin theksin te kriminaliteti në rritje i shqiptarëve që jetojnë në atë shtet, por pasi shifrat tregonin një situatë të kundërt, shqetësimi u ndryshua dhe u trajtua “për shkak të sofistikimit të krimit të organizuar shqiptar në Holandë.”

Pas vendimit të Komisionit, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca thekson se “tani është koha që, pas këtij konfrimimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitit 2010 dhe për të ecur përpara me energji të përtërira, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Këshillit Evropain në tetor.”

Leave a Reply