Koronavirusi është një kërcënim për liderët populistë

Liderët populistë po përpiqen dëshpërimisht ta përdorin koronavirusin për të qëndruar në pushtet.

Ndërsa koronavirusi përhapet në të gjithë botën, ai po ekspozon gjithnjë e më shumë  krisje të mëdha socio-ekonomike të cilat qeveritë i kanë injoruar prej kohësh. Sistemet shëndetësore të pambrojtur po shemben nën një mbingarkesë pacientësh, sigurimet shoqërore nuk po munden të mbulojnë ata që kanë nevojë, dhe mos mbrojtja e punës me ligjet e duhura, ka lënë miliona të papunë dhe pa të ardhura.

Në të njëjtën kohë, pandemia ka nxjerrë në pah çështje të paaftësisë dhe mungesës së udhëheqjes në elitat qeverisëse në të gjithë botën.

Ky aspekt zbulues i pandemisë e bën atë veçanërisht të rrezikshme për forcat populiste në të gjithë botën. Ata tani janë në një rrezik në rritje të ekspozimit për atë që janë në të vërtetë – udhëheqës të paaftë, që s’bëjnë më shumë sesa të kënaqin interesat e rrethit të tyre të ngushtë, ndërsa i lënë vendet e tyre në vështirësi ekonomike dhe pasiguri sociale.

Këta populistë kanë promovuar axhendat nacionaliste, proteksioniste dhe të urrejtjes për të manipuluar publikun. Kjo është e qartë në indiferencën e tyre ndaj ndryshimit të klimës dhe krizave të refugjatëve, si dhe në përgjigjet e tyre ndaj pandemisë së koronavirusit.

Në të njëjtën kohë, udhëheqësit populistë kanë filluar përpjekje të dëshpëruara për të instrumentalizuar pandeminë, me qëllim konsolidimin e pushtetit dhe për të siguruar rizgjedhjen e tyre.

Në Hungari, Kryeministri Viktor Orban shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 11 Mars. Më pak se tre javë më vonë Parlamenti votoi në një ligj që i lejonte atij të sundonte pafundësisht, duke e dekretuar në emër të luftimit të koronavirusit. Por këto fuqi tejkalojnë atë që është e nevojshme për të luftuar shpërthimin, pasi ato përfshijnë dispozita për dënime me burg për këdo që zbulohet se ka penguar masat antipandemike, ose përhap informacion të rremë.

Në Brazil, Presidenti Jair Bolsonaro ka kundërshtuar në mënyrë aktive çdo masë ndaj pandemisë. Ai ka pohuar se virusi është thjesht “një fantazi”, dhe se ai “nuk do të ndiente asgjë” nëse infektohej.  Ai ka shkuar aq larg, sa ka marrë pjesë në mitingje kundër bllokimeve të vendosura nga autoritetet lokale.  Ai jo vetëm që ka sulmuar mediat në mënyrë të përsëritur dhe ka vënë në dyshim këshillat e shkencëtarëve dhe OBSH-së, por ka qenë aktivisht i përfshirë në dezinformata.

Në mënyrë të ngjashme, Presidenti amerikan Donald Trump ka përqendruar përpjekjet e tij në manipulimin e opinionit publik, në vend që të punojë me autoritetet shtetërore për të zgjidhur krizën. Por ndryshe nga Bolsonaro, atij i është dashur të tërhiqet nga pretendimet se shpërthimi i koronavirusit nuk përbën kërcënim për SHBA.

Orban, Bolsonaro dhe Trump janë vetëm tre shembuj të një tendence globale të forcave që manipulojnë përgjigjet e shteteve të tyre ndaj pandemisë.

Në fund të fundit, kjo nuk është vetëm një krizë shëndetësore, por një krizë e qeverisjes kombëtare dhe globale.
Do të kthehet shumë shpejt një dëshmi tjetër e dështimit të plotë të populizmit, që nuk ofron asgjë tjetër përveç retorikës boshe dhe urrejtëse.

Udhëheqësit populistë nuk mund të japin asnjë lloj zgjidhjeje sociale ose ekonomike për problemet kombëtare dhe globale dhe pandemia është duke e bërë këtë gjithnjë e më të dukshme. Ndoshta kjo tragjedi do të sjellë përfundimisht shkatërrimin e populizmit në të gjithë botën. / Al Jazeera – Bota.al

Leave a Reply