Krasniqi synon titullin e kampionit

Meçi Boesel – Krasniqi zhvillohet sonte (23:15) në Magdeburg të Gjermanisë. Gjermani Boesel e mban titullin e përkohshëm të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, versioni WBA. Është një prej katër versioneve më të forta, por që i ka tre tituj për kategori. Krasniqi bokson për njërin prej tyre.

Meçi është i vlefshëm edhe për titullin e versionit IBO, që nuk është në mesin e katër versioneve më të forta, por që vjen menjëherë pas tyre.

Krasniqi 33-vjeçar për herë të tretë bokson për titull të botës. Është i vetmi boksier shqiptar që ka boksuar për titull të botës më shumë se një herë. Ai në vitin 2013 pësoi nga Nathan Cleverly, kurse në vitin 2015 edhe nga Juergen Braehmer. Ndërkohë është mposhtur edhe nga Arthur Abraham në vitin 2017 dhe Stefan Haertel vitin e kaluar. Haertel ia mori titullin e Evropës, por ndërkohë Krasniqi ka operuar bërrylat, është kthyer në kategorinë gjysmë të rëndë nga ajo super e mesme. Ai ndien se është në formën më të mirë në karrierë dhe se është i gatshëm për të rrëmbyer titullin e botës. Krasniqi e di se duhet të jetë shumë më i mirë se Boesel për të fituar titullin e botës. Boesel e Krasniqi janë pjesë e kategorisë SES Boxing. Krasniqi po ashtu garon për Gjermaninë.

Haxhi Krasniqi ka kohë që është boksieri më i suksesshëm shqiptar. Bilanci i tij është 50 fitore e gjashtë humbje. 18 prej fitoreve i ka arritur me ndërprerje.

Leave a Reply