Kriminalizim apo fundosje e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut

Gjatë inagurimit të Xhamisë së Arnaqisë, Sulejman Rexhepi do të deklarojë “konstatime” antinjerëzore për popullin maqedonas! Do t’i quajë: ”egërsirë”, “Popull pa identitet” të cilin as që do ta kenë ndonjëherë! Kjo deklaratë do ta nxisë Komitetin e Helsinkut të Maqedonisë që të kërkojë nga prokuroria publike të ngrisë padi penale kundër Sulejman Rexhepit për përdorimin e gjuhës së urrejtjes

Shkruan Fatbardha Shehu, juriste

Këto ditë u publikua vendimi i Prokurorisë Publike Themelore lidhur me kërkesën e Komitetit të Helsinkut për të ngritur padi penale kundër Sulejman Rexhepit për përdorim të gjuhës së urrejtjes! Kjo prokurori thotë: “… nuk ka bazë për dyshimin se i padituri ka kryer vepër penale “Tallje me popullin maqedonas apo me përkatësit e bashkësive të tjera etnike sipas nenit 179 dhe, Shkaktim të urrejtjes, ndasisë apo mostolerancës në baza etnike, racore, fretare apo bazë tjetër diskriminuese”!
Sipas kësaj Prokurorie, Sulejman Rexhepi gjatë fjalimit të vet “askund nuk e ka përmendur në mënyrë të drejtëpërdrejtë popullin maqedonas”!
Kjo përgjigje e Prokurorisë Themelore paraqet problem më vete për mbarë shoqërinë, për sistemin e drejtësisë te ne, për Institucionet e drejtësisë si dhe për vetë Qeverine e cila akoma është në mëdyshje të fillojë vetingun apo jo!
Kjo përgjigje e kësaj Prokurorie më së paku është profesionale, për të mos thënë jonjerëzore! Madje hap shumë dyshime për fillimin e kriminalizimit të fundit të drejtësisë sonë! Edia Rama, kryeministri shqiptar, këtë dukuri po e quan “Kap çka të kapësh”! Kurse populli maqedonas ka shprehjen e vet “gjuajtje në ujë të turbullt”!
Si guxon një Prokurori e një shteti multietnik të thotë se ”Sulejman Rexhepi askund nuk e ka përmendur drejtëpërdrejtë fjalën “populli maqedonas”! Dhe, sipas kësaj logjike, meqë nuk ka përdorur gjuhë të urrejtjes kundër popullit maqedonas kjo e bën të falet Sulejman Rexhepi dhe mos t’i tërhiqet të paktën vërejtja publikisht që të jetë më i vëmendshëm dhe më i disiplinuar. Për më keq, kjo Prokurori si me thikë e ndanë ndëshkimin për përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Sipas kësaj logjike, vetëm mos të përmendet në konotacion negativ populli maqedonas, se sa për të tjerët, grini e hajini mish të gjallë, ligjjet e Maqedonisë nuk vlejnë për të tjerët!
Kuluareve të organizmave ndërkombëtarë në vendin tonë po flitet se kjo përgjigje e Prokurorisë Themelore i ka shokuar diplomatët dhe, janë në pritje se si do të reagojnë institucionet e tjera të drejtësisë pas kësaj përgjigje, gjithësesi, të korruptuar!
Të shitet kaq lehtë drejtësia në Maqedoninë e Veriut dhe të amnistohen të gjithë ata që kanë mundësinë ta “blejnë” pafajësinë, kjo pastaj flet për një momentum tepër të rëndë në të cilën ka ngecur sistemi i drejtësisë dhe që kërkon një intervenim të padhimbshëm dhe urgjent të organeve përkatëse të shtetit, nëse e kanë brengë serioze ardhmërinë dhe sigurinë e vendit tonë.
Të pretendosh se mund të falet Sulejman Rexhepi sepse në atë deklaratë që e shpreh përmes gjuhës së urrejtjes nuk e ka përmendur drejtëpërdrejtë popullin maqedonas, ky është skandal i llojit të vet! Mbi të gjitha, kjo flet edhe për korruptimin e organeve të tjera, si dhe, për korruptimin e shpirtit të vetë këtij populli! Sepse, kjo urrejtje nuk është shprehur prej një rrugaçi, apo prej një banditi, por, është shprehur prej një “reisi”, i cili, përfundimisht e arriti atë që e dëshiron tash e sa kohë – meqë BFI-ja qenka e pavarur nga shteti, atëherë kësaj i lejohet të bëjë krimet më të tmerrshme si dhe ta kriminalizojë tërë institucionin, madje të formojë edhe formacione paraushtarake e parapolicore dhe për këtë të mos përgjigjet fare, sepse këto paraformacione ai nuk i themelon për ta “prishur shtetin e Maqedonisë”! Do ta kemi edhe këtë përgjigje të kësaj Prokurorie aktuale! Turp për institucionet shtetërore, keq për qytetarët e këtij shteti, në të cilin, pafajësia blihet me pak para! Të paktën këto para, në rastin e Sulejman Rexhepit, të ishin nga xhepi i tij, por, kriminalizimin e vet ai e sponsorison me djersën e popullatës myslimane, me paratë e fitrit dhe të zeqatit, me paratë nga shitja e vakëfit. Mos është kjo ndonjë strategji e “shërbimeve të errëta nëntokësore”? Një Zot e di! Por, dhe ca njerëz të devotshëm!

Leave a Reply