Kryediplomati grek në Tiranë e Shkup/ Mbështetje për negociatat, por edhe diskutime për raportet dypalëshe

Në një përpjekje për të zbutur reagimet negative të kundërshtimit të Francës për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shkupin, kreu i diplomacisë greke, Nikos Dhendias viziton të martën kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut duke takuar për herë të dytë Brenda disa ditësh homologun e tij Dimitrov.

Dhendias ka deklaruar se vet francezi ka shkaktuar destabilitet politik në dy vende ballkanike, sidomos për qeverinë e Zoran Zaevit që shpalli edhe zgjedhjet e parakohshme, menjëherë pas këtij zhvillimi. Disa ditë më parë gjatë vizitës së tij në Beograd, ai ka shprehur kundërshtimin e Greqisë ndaj vendimit për të frenuar ecurinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE, duke theksuar se të dy vendet kanë plotësuar kushtet e kërkuara.

“Them se nuk jemi të kënaqur me faktin së këtyre vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, nuk u dha një datë për fillimin e negociatave në samitin e fundit të BE. Ajo që ne kemi dashur të bëjmë dhe ajo çka Kryeministri Mitsotakis, po përpiqet të bëjë është të ndryshohet pozitivisht ky vendim. Do bëjmë çdo gjë të mundshme që këto dy shtete, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të marrin datën për çeljen e negociatave dhe do të lehtësojmë ecurinë e tyre drejt BE”, shprehet Nikos Dhendias.

Përveç Shkupit, ministri grek pritet në ditët e ardhshme edhe për një vizitë të tijën në Tiranë për bisedime, në lidhje me promovimin e perspektivës europiane të Shqipërisë por edhe të marrëdhënieve dyaplëshe.

Sipas Dhendias, mbështetja greke do të varet nga plotësimi i kushteve europiane të vendosura për t’u zbatuar nga dy fqinjët veriorë të Greqisë. Sa I përket Shqipërisë ai ka përsëritur edhe në takimin që ka pasur me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri para tre ditësh, se Tirana duhet të respektojë të drejtat e këtij minoriteti, sidomos në lidhje me pronën edhe me të drejtën e vetpërcaktimit etnik. Dhendias do të takohet me homologët e tij të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në 9 dhjetor në Bruksel, në fillim të vitit që vjen para samitit të vendeve të BE, por edhe në shkurt në konferencën e Selanikut.

Leave a Reply