Kryeministri irakian: Irani na informoi për sulmet mbi bazat amerikane

Iraku u informua se sulmet iraniane do të kufizohen në vendet ku janë stacionuar trupat amerikane

Kryeministri i përkohshëm i Irakut, Adel Abdul-Mahdi, ka bërë të ditur se Irani e ka njoftuar Bagdadin para se të sulmonte bazat amerikane në vend.

“Në mesnatë, morëm një njoftim zyrtar verbal nga Republika Islamike e Iranit se hakmarrja e tyre ndaj vrasjes së dëshmorit Qasem Soleimani ka filluar ose do të fillojë së shpejti”, thuhet në një njoftim nga zyra e tij.

Iraku u informua se sulmet iraniane do të kufizohen në vendet ku janë stacionuar trupat amerikane, thuhet me tej.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) lëshuan dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak.

Tensionet janë të larta në rajon pas sulmit me dron të SHBA-ve javën e kaluar, ku u vra gjenerali i lartë iranian, Qasem Soleimani.

Pas sulmeve iraniane, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javid Zarif, konfirmoi se Irani mori masa vetëmbrojtjeje dhe nuk kërkon të përshkallëzojë konfrontimin.

Leave a Reply