Kryeministri që ndryshon ministrat lehtësisht

Lëvizjet e dy ministrave në kabinetin trevjeçar të Kryeministrit Rama, janë akt i beftë, por jo i vështirë i tij.

Si një provë e lehtë kryeneçësie, këto lëvizje u kryen, duke mos përkuar me pretendimet e aleatit në qeverisje, tre muaj më parë, i cili zëvendësoi befas (por jo pa një kontekst) ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, me zotin Ylli Manjani. Kryeministri Rama, në mënyrën e vet ka larguar ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, duke e zëvendësuar atë me ministrin e deritanishëm të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Në kabinetin e tij ka ngjitur në pozicion ministreje zonjën Milva Ekonomi, si “zonjë të Ekonomisë”.

Motivi zyrtar i lëvizjes së ministrit të Financave nga ana e Kryeministrit është mbuluar me lëvdimin dhe falënderimin: “për angazhimin dhe profesionalizmin e tij në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati”. Ndërkohë që vëzhguesit dhe analistët e financave konkludojnë se gropa financiare në mbledhjen e të ardhurave në buxhet dhe sidomos rishikimi i tij, përbëjnë një sfidë të humbur të ministrit dhe për rrjedhojë edhe të qeverisë. Kjo është lëvizje që nuk rrodhi prej një analize apo prej një mase parandaluese për atë që u la dhe atë që po vjen në financat dhe buxhetin e shtetit. Ndërkohë që disa media thellësisht vëzhguese raportojnë një qasje tjetër.

Kritika dhe reagimi i parë oponent për këtë lëvizje dhe zëvendësim ministrash, ka dalë nga brenda PS-së. Është deputeti oponent Ben Blushi që e ka komentuar cinikisht këtë lëvizje dhe zëvendësimin e ministrit të Financave, duke e dimensionuar kritikën te modeli i dështuar qeverisës dhe si ikje nga pretendimi i afishuar në vitin fillestar të qeverisjes, pra 2013.Sidoqoftë, lëvizjet e dy ministrave më të rëndësishëm në kabinetin “Rama”, përbëjnë një akt të zhvillimeve të brendshme politike në Partinë Socialiste. Në aparencë duket se Kryeministri Rama është qeverisësi i pashqetësuar nga konteksti i brendshëm dhe i jashtëm i situatës politike. Oponentët e tij në PS janë të paformësuar dhe të paorganizuar. Të ndarë në të heshtur të pakënaqur dhe në të shfaqur si simpatizantë të paangazhuar të Blushit. Kaq nuk mjafton për të pasur shqetësime Kryeministri Rama. Kaq shfaqje oponentësh nuk vlen për të besuar se brenda PS-së mund të ngrihet befas një diversitet i brendshëm dhe që mund të sjellë befasi në kongresin e pritshëm të muajit mars.

Ndryshimi i beftë i emrave të dy ministrave në kabinet, përbën një lëvizje dhe një konfirmim force që udhëheqësi i PS-së dëshmon në momentin e tanishëm politik. Ai është në liri të plotë të lëvizjes dhe të zëvendësimit të ministrave. Ka sfiduar qoftë pritshmëritë iluzive të të vetëve për të qenë edhe ata pretendues për kohën e mbetur të mandatit qeverisës, qoftë edhe për të shpresuar se në historinë aktuale politike të kësaj force, mund të ketë ripërsëritje të diversiteteve (si në kohën e dikurshme të ish-kryetarit Fatos Nano). Koha e sotme e PS-së është ndryshe; një kohë tjetër pa reminishenca të demokracisë së djeshme. Por problemi me demokracinë e munguar është ndryshe dhe natyrisht shumë herë më me dilema sesa me mundësi. Demokracia e munguar fatkeqësisht nuk është më shqetësim masiv dhe impenjim i fortë masash në vend dhe për rrjedhojë edhe në partitë tona politike. Kjo është gjendje e trishtë dhe që i bën edhe më të mëdha dilemat për të nesërmen e afërt të demokracisë së vendit, në përgjithësi. Ajo që mund të thuhet pas rikonfirmimit forcues të Arben Ahmetajt nga ministër Ekonomie në ministër Financash, ka lidhje me skepticizmin e shtuar për fatin dhe administrimin e ardhshëm të financave publike dhe zhvillimeve në rrethanat me rajonin dhe botën. Por në planin e brendshëm partiak mund të thuhet se edhe Ahmetaj, edhe Ekonomi janë një zgjedhje mbështetësish për Kryeministrin dhe kryetarin e PS-së Rama, në ditët e ardhme të kalendarit politik. Në një farë mënyre, me këtë lëvizje Kryeministri Rama mund të mos e ketë forcuar qeverinë, por diçka ka menduar për rikonfigurimet e pritshme në kongresin e marsit të PS-së.

Realisht mund të thuhet se koha për forcim të qeverisë është pretendim i ekzagjeruar, por për forcim pozitash të kryetarit Rama dhe mbështetësve të tij brenda partisë ka hapësirë dhe mundësi ende deri në mars. Deri atëherë, ndryshimet në kabinetin qeverisës, sidomos në grupin e ministrave socialistë, janë lehtësi e mëtejshme.

Kurrë ndonjëherë më parë dhe si askush tjetër, zoti Rama ka komoditetin dhe lehtësitë e pakrahasueshme të ndryshimit dhe lëvizjes së ministrave të vet. Sa më e shkurtër bëhet koha e mbylljes së mandatit qeverisës, aq më e madhe bëhet mundësia e ndryshimeve në kabinet. Për këtë arsye, lëvizjet e aq pretenduara gati katër apo pesë muaj më parë, nuk e kanë më as atë vlerë dhe as atë interes, si brenda PS-së, ashtu edhe në kontekstet dhe rrethanat e zhvillimeve me koalicionin e Ilir Metës. //Gazeta“Shqip”//

Leave a Reply