Kufiri, Haradinaj në Malin e Zi

Çështja e demarkacionit do ta çojë shumë shpejt Ramush Haradinajn në Podgoricë, njoftojnë mediat vendase, sipas të cilave, Kryeministri i Kosovës do të diskutojë me autoritetet e atjeshme shtetërore këtë ngërç ende të pazgjidhur plotësisht.

Pala kosovare shpreson që marrëveshja të mund të rinegociohet, ndërsa ajo malazeze e konsideron kapitull të mbyllur.

Kjo do të përbëjë njërën prej vizitave të para të kreut të Ekzekutivit kosovar jashtë kufijve. Haradinaj ka qenë një ndër kundërshtarët më të ashpër të ujdisë së nënshkruar dy vjet më parë në Vjenë.

Në atë kohë në opozitë, ai pretendonte se me marrëveshjen e Demarkacionit, Kosova humb 8200 hektarë tokë, sepse kufiri, siç këmbëngul ai, duhet të jetë në Çakorr. Pas marrjes së frerëve të qeverisë, një prej veprimeve të para të kreut të AAK-së ishte shkarkimi i komisionit për Demarkacionin të drejtuar nga Murat Meha dhe emërimi në vend të tij i ish-deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi, gjithashtu një kundërshtar i hapur i paktit aktual për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Pretendimi i Mehës ishte se Kosova as humbiste e as fitonte më shumë territor. Edhe sipas anëtarëve të komisionit të vjetër, ndryshimi ka qenë tepër i vogël.

Duke cituar faktin se të gjitha vendimet e marrëveshjes bazohen në dokumente ndërkombëtare, marrëveshjen tekniko-ushtarake e Kumanovës, planin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, Rregulloren e UNMIK-ut, marrëveshjen për demarkacionin e nënshkruar më 25 gusht 2015, ata mbështetën konstatimin e Departamentit Amerikan që Kosova nga kjo ujdi nuk del me humbje.

Leave a Reply