Kadare vjen për lexuesin me veprën “Kur sunduesit grinden”

Një bashkëbisedim telefonik, mes Stalinit dhe Pasternakut, që ka ndodhur gati një shekull më parë vazhdon të interpretohet ende edhe sot në mënyrat më kundërthënëse.

Ky është subjekti që bashkohet me penën e shkëlqyer të shkrimtarit Ismail Kadare në librin e tij të fundit, paraqitur për publikun në panairin e librit “Tirana 2018″. “Kur sunduesit grinden” nga sot është në dorë të lexuesit, që, të shumtë në numër kërkuan ta kishin atë në bibliotekat e tyre me firmën e vetë autorit. Kadare marrëdhënien e sunduesit me shkrimtarin e konsideron të përhershme.

Kadare gjatë prezantimit të librit shprehet se ,”sunduesit janë dy palët e librit, ata që janë sundues, që quhen tiranët, diktatorët, por nga ana tjetër unë sjell këtu edhe sunduesit shpirtërorë. Këtu është një grindje mes Stalinit edhe Pasternakut. Është kaq e ngatërruar sa ka një shekull që nuk zbërthehet tamam”.

Në këtë promovim përkrah tij, qëndronte bashkëshortja, shkrimtarja Helena Kadare, e cila e përshkruan këtë libër, si veprën që Kadaresë i ka marrë më shumë kohë nga gjithë të tjerat.

Kadare ka përfshirë edhe elementë autobiografikë në këtë libër. Ndonëse i gjithë libri është i përfunduar, Ismail Kadare, ka dëshirën që në vazhdim ta rishikojë edhe njëherë mbylljen e këtij libri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *