2 deputetë të PD nuk firmosin lënien e mandatit

Pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike e firmosën menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar kërkesën për lënien në mes të mandatit të tyre në Kuvend. Por dy prej të zgjedhurve të Partisë Demokratike mungojnë në këtë listë. Bëhet fjalë për deputetët Rudina Hajdari dhe Myslym Murrzi, të cilët nuk e kanë firmosur ende deklaratën ku pranojnë të heqin dorë vullnetarisht nga mandati.

Edhe burime të Televizionit Klan pranë Partisë Demokratike konfirmuan se këta deputetë ende nuk e kanë hedhur firmën në dokument. Sipas të njëjtave burime, Rudina Hajdari ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë ajo është shprehur për mediat se do të kthehet në Shqipëri të enjten dhe shumë shpejt do të bëjë publik qëndrimin e saj. Edhe pse pak kohë më parë deputetja e Tiranës adresoi kritika ndaj lidershipit të Partisë Demokratike mësohet se për këtë vendim të fundit të opozitës nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në grupin parlamentar.

Televizioni Klan tentoi të kontaktojë edhe me deputetin e Lushnjes, Murrizi, por gjatë gjithë ditës ai e ka pasur telefonin e fikur. Deputeti i parë i opozitës që doli publikisht kundër vendimit për të djegur mandatet ishte Lefter Koka, i zgjedhur nga lista e LSI-së në qarkun e Durrësit. Në një reagim në rrjetet sociale, Koka tha se qëndrimi i tij është i palëkundur, për të mos djegur mandatin që i kanë besuar votuesit dhe për të mos lejuar që ai të përdoret për të djegur institucionet./Tv Klan/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *