2018-a, një tjetër vit përplasjesh mes Trumpit dhe mediave

2018-a ishte një vit tjetër përplasjesh mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe gazetarëve që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë. Presidenti vazhdon t’u referohet gazetarëve si “armiq të popullit”.

Para gjashtë muajsh, një person i armatosur, që ishte indinjuar nga një artikull vrau pesë vetë në Gazetën “Capital”. Por për kryeredaktorin e gazetës, puna vazhdon.

“Ajo që bëjmë ne, është jetike për këtë vend, jetike për mënyrën tonë të jetesës”, thotë Rick Hutzell.

Ekipi i kësaj gazete të Anapolisit në Merilend, është mes Personave të Vitit 2019, të zgjedhur nga revista Time, që nderoi gazetarët e vrarë ose burgosur për shkak të detyrës.

“Vdekja e miqve të mi, na e ndryshoi jetën të gjithëve. Mendoj se njerëzit janë më të vetëdijshëm për punën tonë. Por çmimi që paguajmë është shumë i lartë”, thotë ai.

Dhe çmimi po bëhet më i lartë.

Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara hynë në listën e vendeve më vdekjeprurëse për gazetarët, të organizatës “Gazetarët pa Kufij”.

Në tetor, një simpatizant i Presidentit Trump i dërgoi bomba artizanale CNN-it dhe figurave të njohura që janë kundërshtarë të presidentit. Kritikët kanë akuzuar presidentinTrump se i ka acaruar tensionet, duke i quajtur mendiat, “armike të popullit”.

“Roli i medias është pikërisht që të kritikojë qeverinë, prandaj është shqetësuese që një gjë e tillë karakterizohet si jopatriotike”, thotë Lata Nott e Qendrës për Amendamentin e Parë.

Presidenti dhe përkrahësit e tij hedhin poshtë akuzat se komentet e tij kanë nxitur dhunën.

“Mbulimi i vazhdueshëm i padrejtë i medias, armiqësia e thellë dhe sulmet negative, veçse i përçajnë njerëzit dhe minojnë debatin e shëndetshëm”, është shprehur Presidenti.

Presidenti Trump ka veçuar sidomos CNN-in, duke ia hequr korrespondentit të saj kredencialet, pas një shkëmbimi të ashpër.

CNN ngriti padi, dhe administrata ia ktheu kredencialet Jim Acostas.

Një tjetër sfidë ishte përdorimi i Twitterit nga Presidenti Trump, duke anashkaluar kështu kanalet tradicionale të komunikimit.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

“Mund të flasësh me një këshilltar të lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ta pyesësh për një politikë shumë të rëndësishme dhe ai person të të shpjegojë reagimin e administratës dhe në fund të thotë: ‘por shefi nuk është shprehur ende në Twitter’”, thotë Olivier Knox, i Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë vë në dukje se zoti Trump është një nga presidentët me qasje më të madhe tek mediat, duke folur drejtpërdrejt me gazetarët mbi 560 herë që kur ka marrë detyrën, shumë më tepër sesa dy paraardhësit e tij, në të njëjtën periudhë të mandatit.

Shpesh ai u përgjigjet pyetjeve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Trump duket se parapëlqen këto konferenca shtypi të improvizuara në vend të atyre të sekretarës së shtypit, gjë që që administratat e kaluara e bënin thuasje çdo ditë. Muajt e fundit të 2018-ës, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur mesarisht një konferencë shtypi në muaj. /VoA

Leave a Reply