5 të arrestuar për përplasjen me armë në spital

Si nisi konflikti mes dy familjeve, zbardhet dinamika e ngjarjes

Pesë persona janë arrestuar nga policia pas konfliktit të rëndë që ndodhi në Fier mbrëmjen e së shtunës, ku mbetën të plagosur pesë persona.

Në pranga kanë rënë Daniel Braçe 21 vjeç, G.Braçe 22 vjeç, Aleksandër Zhapaj 51 vjeç dhe Aldi Zhapaj 22 vjeç (at e bir), si dhe E.K. 32 vjeç nga Vlora, palë me familjen Zhapaj.

SI NISI NGJARJA

Në konflikt janë përfshirë familjet Zhapa dhe Braçe. Policia e Fierit sqaroi se sherri nisi fillimisht jashtë një lokali në Levan për motive banale. Nga konflikti në Levan mbetën të plagosur me thikë Klajdi Lamaj dhe Erlind Muçaj. Kurse me mjete të forta, kaçavida, u dëmtuan vëllezërit Aldi dhe Gentjan Zhapaj.

PLAGOSJA NË SPITAL

Pas sherrit jashtë lokalit në Levan, konflikti u zhvendos në Spitalin e Fierit. Teksa katër të plagosurit, dy me thika dhe katër me sende të forta, u transportuan në urgjencë për ndihmë mjekësore, aty agrovoi sërish situata. Daniel Braçe 21 vjeç dhe G.Braçe, që të dy të arrestuar, akuzohen për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe goditje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë. Daniel Braçe dyshohet se është personi që qëlloi me armë duke lënë të plagosur Aleksandër Zhapajn 51 vjeç, babai i Aldi Zhapaj. 51-vjeçari ishte në spital për të shoqëruar djalin dhe u qëllua me pistoletën e policit nga Daniel Braçe, i cili po shoqëronte në urgjencë dy të plagosurit e tjerë. Mësohet se 21-vjeçari Daniel Braçe ka përfituar nga situata e krijuar momentet e para të mbërritjes së të plagosurve në urgjencë. Punonjësi i patrullës së policisë po ndihmonte për transportimin e barrelave me të plagosurit, kur 21-vjeçari Braçe i mori pistoletën nga brezi dhe qëlloi Aleksandër Zhapajn.

Daniel Braçe u arrestua mëngjesin e së dielës. Ndërsa nga pala tjetër janë vënë në pranga Aleksandër Zhapaj i plagosur me armë, Aldi Zhapaj i dëmtuar me sende të forta dhe E.K. 32 vjeç nga Vlora, pjesë e familjes Zhapaj. Arrestimi i tyre dyshohet se është bërë për shkak se kanë qenë pjesë e konfliktit me thika jashtë lokalit në Levan.

Policia thotë se për këtë ngjarje ka sekuestruar një armë gjahu, dy thika dhe tre makina. Nga burime policore mësohet se çiftja e sekuestruar i përkiste Zhapajve.

Leave a Reply