70 banorë mbeten në çadra

Largohen fëmijët, gratë dhe të moshuarit

45 banorë të fshatit Floq janë akomoduar në shkollën e fshatit, pasi shtëpitë e tyre u bënë të pabanueshme nga tërmeti i 1 Qershorit. 25 të tjerë janë marrë përsipër nga qendra sociale “Kenedy”. Ende në çadra mbeten 70 banorë që po asistohen me ndihma.

Jetesa në çadër për banorët që u prekën nga tërmeti në zonat e Korçë, duket e vështirë. Edhe më shqetësues është kur bëhet fjalë për fëmijë gra dhe të moshuar. Për këtë arsye strukturat vendore po shikojnë mundësinë e vendosjes në ambiente më të përshtatshme.“Fëmijët, gratë dhe të moshuarit do të evakuohen nga çadrat, me mbështetjen e strukturave vendore, për t’ju garantuar kushte sa më të përshtatshme”, tha Ministrja Manastirliu.

Gjatë takimit me banorët e Floqit, zona më e prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme në Korçë, Manastirliu garantoi shërbimin shëndetësor pa ndërprerje.

“Jemi këtu për të garantuar mbështetjen maksimale për banorët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore, në këto ditë të vështira. Kemi organizuar shërbimin me mjekë dhe infermierë këtu në kampin e emergjencës 24 orë, në mënyrë që të monitorojmë situatën shëndetësore, sidomos të fëmijëve, grave dhe të moshuarve”.

Shërbimi shëndetësor është organizuar edhe me autoambulanca në dispozicion dhe shërbim të përforcuar në spitalin e Korçës. Banorëve iu është siguruar edhe shërbim psikosocial, me psikologë dhe psikiatër, si dhe ushqime dhe veshmbathje.

Prej 1 Qershorit janë shënuar mbi 700 lëkundje në qarkun e Korçës. Numërohen mbi 180 shtëpi të dëmtuara, 60% e të cilave janë bërë të pabanueshme.

Në zonat e prekura nga tërmeti ishte dhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka që premtoi se do të ndërtohet nga e para çdo shtëpi e rrënuar dhe do të dëmshpërblehen familjet për të riparuar shtëpitë me dëmtime të lehta./Tv Klan/

Leave a Reply