Amendamentet e PD për buxhetin, Rama: Po sillni programin elektoral të 2005-s, çfarë bëtë në 8 vjet?

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Rama i ka cilësuar amendamentet e propozuara nga partia demokratike për buxhetin 2018, si ide të vjetra të shkruara nga kjo parti në programin elektoral të vitit 2005.

Sipas Ramës, PD sot nuk ka asnjë vizion alternativ, por vetëm disa propozime identike me programin e saj të 2005-s, që gjatë 8 viteve të qeverisjes demokratike nuk dha asnjë zgjidhje.

“Mjafton të shikosh të gjitha propozimet dhe të bësh një kalkulim të thjeshtë. Tërësi propozimesh të papërgjegjshme që nuk marrin në konsideratë as kuadrin e sotëm ekonomik, as atë financiar, as mundësitë dhe potencialet, por thjesht rreshtojnë njëra pas tjetrës një listë qesharake muhabetesh për t’ua hedhur atyre që nuk ua keni hedhur dhe s’do ja hidhni dot, shqiptarëve që na dëgjojnë të gjithëve, atyre nuk ua hidhni dot”.- tha Rama

Për këtë konstatim, Rama iu referua ndër të tjera propozimit të PD për kthimin tek taksa e sheshtë, siç ishte e parashikuar në programin e vitit 2005.

“Ju propozoni taksimin njësoj të të mëdhenjve dhe të të vegjëlve, që nënkupton më shumë taksa për ata që fitojnë më pak, më pak taksa për ata që fitojnë më shumë. Amendamenti për rritjen e subvencioneve në bujqësi. Buxheti për bujësinë në 2013-n ka qënë 48 milion dollarë në total, sot është 109 milionë. E kemi dyfishuar. A mjafton? Nuk mjafton. Por nuk jeni ju ata që ju takon ta thoni. Ju jeni arsyeja pse sot Shqipëria nuk ka më shumë. Në tetë vjet ju bëtë gropë.”-tha Rama.

Sipas Kryeministrit, “PD ka nevojë të bëhet një forcë që ka një qasje dhe një filozofi qeverisëse alternative me tonën”.

Leave a Reply