Amerika dhe BE’ja shmangin luftën tregtare

Sekretari i Departamentit të Tregtisë Wilbur Ross tha të ejten se Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron që Departamenti i Tregtisë të vazhdojë hetimin mbi çështjen nëse duhen vendosur tarifa ndaj prodhuesve evropianë të makinave, pavarësisht bisedimeve tregtare me Bashkimin Evropian, por ka kërkuar që për momentin të mos merret asnjë vendim për këtë çështje.

Zoti Ross tha se Departamenti i Tregtisë do të përfundojë shqyrtimin e çështjes së tarifave muajin e ardhshëm. Vendosja e tarifave ndaj prodhuesve të makinave “mund të mos jetë e nevojshme-do të shohim”, tha ai.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të punojnë drejt eliminimit të tarifave dhe subvencioneve për mallrat që nuk janë pjesë e industrisë së prodhimit të makinave. Marrëveshja pritet të ulë tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe i hap rrugën arritjes së marrëveshjeve të tjera tregtare.

Presidenti Trump njoftoi arritjen e marrëveshjes së bashku me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dje në Shtëpinë e Bardhë pas takimit të tyre mbi çështjet tregtare.

“Ne gjithashtu do të punojmë për të reduktuar barrierat dhe për të rritur tregtinë në shërbime, kimikate, farmaceutikë, produkte mjekësore, si dhe sojën. Marrëveshja për sojën është një arritje e madhe. Bashkimi Evropian do të fillojë pothuajse menjëherë të blejë më shumë sojë. Ata kanë një treg të jashtëzakonshëm. Bleni shumë sojë nga fermerët tanë”, tha Presidenti Trump.

Juncker tha se ka bërë një marrëveshje me Presidentin Trump për të lehtësuar tensionet tregtare.

Juncker tha gjithashtu se për sa kohë që negociatat do të vazhdojnë, “BE nuk do implementojë tarifat e mëtejshme” dhe do të rishqyrtojë tarifat ekzistuese për çelikun dhe aluminin.

Presidenti Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të tjera ndaj sektorit evropian të prodhimit të makinave që do të ishte një goditje e fortë për ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian, Gjermaninë.

Bashkimi Evropian tashmë është hakmarrë ndaj administratës së Presidentit Trump duke ndërmarrë veprime fillestare me vendosjen e tarifave me vlerë tre miliardë dollarë ndaj një numri produkthesh amerikane përfshirë motoçikletat dhe uiskin.

Sipas Komisioneres evropiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, Komisioni Evropian ka përgatitur një listë tjetër tarifash hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara me vlerë 20 miliardë dollarë.

Gjermania përshëndeti marrëveshjen tregtare mes Presidentit Trump dhe Presidentit të Komisionit Evropian. Ministri gjerman i ekonomisë Peter Altmaer tha se marrëveshja do të shmangë luftën tregtare, do të shpëtojë miliona vende pune dhe është një lajm i mirë për ekonominë globale. /VoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *