Basha: Protesta tregoi se qeveria Rama-Meta ka marrë fund

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në një dalje për mediat se protesta e djeshme i tregoi vendin dyshes Rama-Meta.

Pasi shprehu mirënjohjen e thellë “për të gjithë ata që morën pjesë në marshimin më të madh të demokracisë”, Basha tha se “largimi i kësaj mazhorance është rruga e vetme e daljes së vendit nga kriza”.

“Mirënjohje të thellë dhe faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve shqiptarë që morën pjesë dje, nga Tirana dhe mbarë vendi, pa dallime politike, në marshimin më të madh të protestës të mbajtur ndonjëherë që nga vitet e para të demokracisë. Mirënjohje të thellë dhe falenderim nga zemra të rinjve, të rejave, familjarëve e kryefamiljarëve, nënave e baballarëve, të moshuarve, që lanë çdo gjë dhe erdhën dje në bashkimin e madh popullor për t’i  drejtuar dyshes Rama-Meta fjalën dhe gishtin e akuzës  për  gjithë të keqen që ka mbërthyer vendin”, tha Basha.

“Me protestën paqësore shqiptarët u treguan dje vendin kukuvajkave të dyshes Rama-Meta që ndollën zi papushim, duke tentuar të frikësojnë njerëzit. Por qytetarët vërtetuan se të frikësuar, të tmerruar janë qeveritarët, të frikësuar janë Edi Rama dhe Ilir Meta, që dje në ankth e panik mbyllën Parlamentin si asnjëherë më parë në historinë e këtyre 25 viteve, janë bërë me hije ora e sovranit në këmbë e të vendosur, për shkak të  zullumit të pafre ku janë zhytur. Shqipëria e bashkuar në protestë i tha dje Ilir Metës ik, hapi rrugën drejtësisë, për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve. Shqipëria në protestë i kërkoi dje Edi Ramës të heqë dorë nga presioni ndaj Prokurorisë e Drejtësisë, të mos u paracaktojë atyre me forcën e pushtetit hetimin dhe vendimet që duhet të marrin, të tërhiqet nga bashkëpunimi në skenarin e vrasjes, ose përndryshe të largohet”, theksoi kreu i PD-së.

“Dje, shqiptarët masivisht dhe me entuziazëm, përqafuan nevojën për ofertën e re ku qytetari të kontrollojë qeverinë, e jo qeveria qytetarin. Oferta e re po vjen. Ajo po farkëtohet çdo ditë në komunikimin tonë me qytetarët. Oferta e re po vjen me qytetarët, prej qytetarëve, për qytetarët”, shtoi Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *