Basha takon ministrin gjerman për Europën, Michael Roth

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth.

Basha i shprehu ministrit Roth besimin se mbështetja dhe angazhimi i Gjermanisë janë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, PD thotë se përmbushja e kushteve të vendosura Shqipërisë për hapjen e negociatave, që nga shteti ligjor, lufta kundër krimit e korrupsionit e deri tek drejtësia e pakapur politikisht ishin në qendër të takimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me ministrin gjerman të Shtetit ne Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth.

Duke e falënderuar ministrin Roth për angazhimin e tij personal që çështja e Shqipërisë të mos hiqej nga axhenda e vendeve anëtare gjatë Samitit të Luksemburgut, në fund të qershorit, Basha tha se me refuzimin që qeveria po i bën marrjes në konsideratë të kushteve te vendosura për Shqipërinë, rrezikon që edhe vitin tjetër vendit të mos i hapen negociatat.

Basha u ndal në mënyrë të detajuar tek reforma në drejtësi, e cila me ndryshimet dhe amendamentet e bëra nga qeveria është kthyer në padrejtësi, në pushtet ndëshkues në duart e qeverisë.

Basha e njohu ministrin gjerman me 7 propozimet e opozitës për zgjidhjen e kolapsit të krijuar nga ndërhyrjet politike pë kapjen e drejtësisë.

Respektimi i kushtetutës së miratuar me konsensus në korriku 2016, që do të thotë zhbërje e ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm

Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të jashtëm të KLGJ-së e KLP-së.

Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Zgjidhja urgjente e ngërçit për ngritjen sa më shpejt të KLGJ dhe KLP sipas Kushtetutës, që të zhbllokohet edhe krijimi i SPAK dhe BKH.

Ecuria kushtetuese dhe ligjore e procesit të vetingut.

Ndërprerja e menjëhershme e ndërhyrjes politike në proces nga ana e maxhorancës, që ka sjellë deri tani një proces të deformuar.

Ngritja e një komisioni koordinimi i balancuar dhe i paanshëm për të mbikqyrur konstitutimin e organeve të reja të Drejtësisë që sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ishin ngritur më parë.

Lideri i opozitës shprehu bindjen se këto probleme madhore nuk zgjidhen me korrigjime sipërfaqësore, por me një qasje tërësore e të mirëmenduar. Për këtë zgjidhje, Lulzim Basha siguroi Ministrin gjerman të Shtetit, përgjegjës për Europën, se opozita është e gatshme të kontribuojë në mënyrë konstruktive.

Leave a Reply