BE-ja pritet t’i ofrojë afat shtesë Britanisë për arritje të marrëveshjes për Brexit-in

Brukseli është duke u përgatitur për t’ia ofruar një afat shtesë Boris Johnson-it, kandidatit kryesor për kryeministër të ardhshëm të Britanisë, një afat përtej 31 tetorit në përpjekje për ta mbajtur të bashkuar Partinë Konservatore dhe për t’ia dhënë edhe një mundësi për arritje të marrëveshjes për largim nga BE-ja.

Afati shtesë për qëndrim në Bashkimin Evropian do të përdorej për negociata të reja, por do të mund të shfrytëzohej nga përkrahësit e Brexit-it në Partinë Konservatore edhe si mundësi për t’u përgatitur më shumë për largim nga BE-ja pa marrëveshje.

“Ky proces do të përshkruhet si shtyrje teknike për ta shpëtuar Borisin nga turpërimi politik, por më pas do të kemi kohë për të gjetur një marrëveshje”, mësohet të ketë thënë një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së është shtuar besimi që largimi i Britanisë së Madhe pa marrëveshje mund të shmanget pasi deputetët britanikë votuan këtë javë që t’ia pamundësojnë kryeministrit të ardhshëm pezullimin e përkohshëm të aktiviteteve të kuvendit.

Sipas propozimit të diskutuar në Bruksel, kandidati Johnson mund të vazhdojë të deklarojë se është në rrugë për ta larguar vendin e tij nga BE-ja edhe pa marrëveshje, ndonëse do të vazhdojë ta mbajë të hapur mundësinë për arritje të një akordi me shtetet anëtare, shkruan “The Guardian”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *