Beqaj: Kemi goditur tregtinë abuzive të barnave. Ja dhe masat e reja

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një komunikim me mediat ka deklaruar se dikasteri që ai drejton dhe strukturat e tjera të shtetit e kanë goditur tregtinë abuzive të barnave.

Një ditë pas aksionit që çoi në arrestimin e 8 personave, Beqaj tha se kompanitë që merren me këtë tregti nuk do të mund të pasurohen më në kurriz të qytetarëve.

“Prej 15 muajsh qytetarët paguajnë më pak për barnat dhe nuk i kërkojnë më ato jashtë spitalit. Kompanitë e mëdha që merren me tregtinë e barnave patën një rënie të fitimeve, që siguroheshin në kurriz të qytetarëve e që ishin fitime anormale. Por zbuluam se ata që deri dje përfitonin në këtë mënyrë, tani që qeveria uli çmimet, kishin gjetur një mënyrë të re me një marrëdhënie ilegale publik-privat, që është asgjesuar”, ka thënë Beqaj.

Duke ritheksuar vendosmërinë e qeverisë për të goditur këto skema ilegale, ministri i Shëndetësisë ka prezantuar disa masa të reja.

“Çdo muaj do të bëjmë transparencën e rimbursimeve të FSDKSH për çdo farmaci. Do të bëhet publike sasia e barnave dhe vlera financiare e gjithë rimbursimit në vend, si dhe vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale. Raporti do të jetë publik dhe online”, ka thënë Beqaj.

Për një zgjidhje afatgjatë që do të zhdukë marifete të tilla, – ka shtuar ministri, – do të zëvendësohet receta praktike me atë elektronike. “Kemi ngritur një grup pune që do të fillojë punën së shpejti”, ka shtuar Beqaj.

Leave a Reply