Blatter pas rizgjedhjes, sulmon Europën dhe SHBA-në

Një ditë pas zgjedhjes së tij për herë të pestë në krye të FIFA-s, Sepp Blatter sulmon Europën dhe SHBA-në.

“Nga UEFA dhe presidenti i saj ka qenë një fushatë urrejtje. Unë i fal të gjithë, por nuk harroj”, ka deklaruar Blatter.

Jo vetëm Europa, por edhe SHBA, protagoniste e hetimeve që çoi në arrestimin e disa prej anëtarëve të vetë federatës, ka qenë në sulmet e Blatter.

“Shtetet e Bashkuara dhe Britania ishin kandidate për të pritur Kupat e Botës në vitet e ardhshme dhe humbën. Asgjë nuk do më heqë nga mendja se sulmet e tyre janë të rastësishme. Nëse SHBA ka punë me krimin që i takon qytetarëve amerikanë, le ti arrestojë atje, dhe jo këtu në Zyrih, ku po bëhet dhe një Kongres”, tha Blatter.

Por raporti me qeverinë europiane të futbollit mbetet në këmbë. “Duhet të vazhdojmë te kemi raporte me Michel Platini. FIFA nuk mund të mbijetojë pa UEFA-n dhe e kundërta”, vijon 79-vjeçari Blatter.

Leave a Reply