Nuk ka paqe, Koreja e Veriut akuzon: SHBA është e prirur për akte armiqësore

Koreja e Veriut akuzon Shtetet e Bashkuara se “janë të prirura për akte armiqësore”, pavarësisht marrëveshjes së ditëve të fundit për të rinisur bisedimet për çështjet bërthamore.

Delegacioni i Phenianit në Kombet e Bashkuara tha se SHBA-ja është “e fiksuar pas sanksioneve”.

Ai po ashtu e akuzoi Uashingtonin për përpjekje për të “dëmtuar atmosferën paqësore” në Gadishullin Korean.

Deklaratat vijnë vetëm disa ditë pasi udhëheqësit e të dyja vendeve zhvilluan një takim historik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u takua të dielën me homologun e tij verikorean, Kim Jong-un, në zonën e demilitarizuar që ndan dy Koretë.

Ai u bë presidenti i parë amerikan që shkeli në Kore të Veriut dhe, pas bisedimeve që zgjatën pothuajse një orë, palët ranë dakord për të krijuar ekipe, që do të rifillonin negociatat për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean.

Por, deklaratat e fundit të Koresë së Veriut shënojnë një ndryshim toni dhe një rikthim në shkëmbimet e zemëruara midis dy vendeve.

Çfarë tha Koreja e Veriut?

Delegacioni i Koresë së Veriut tha se ishte duke iu përgjigjur një pretendimi amerikan se kishte shkelur një marrëveshje mbi importet e rafinuara të naftës që ishte vendosur në vitin 2017.

Ai tha gjithashtu se ishte duke iu përgjigjur një letre të përbashkët të dërguar nga SHBA, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe në të gjitha vendet anëtare të OKB-së që kërkuan sanksione të mëtejshme mbi Korenë e Veriut.

Letra thuhet se u ka kërkuar të gjithë anëtarëve që të dërgojnë në shtëpi punëtorët e emigruar nga Koreja e Veriut.

“Ajo që nuk mund të anashkalohet është fakti se kjo “lojë” me letrën e përbashkët ndodhi në të njëjtën ditë kur Presidenti Trump propozoi një takim të nivelit të lartë”, thuhet në deklaratë.

“Letra tregon realitetin e Shteteve të Bashkuara, që praktikisht janë gjithnjë e më shumë të prirura për veprime armiqësore kundër Koresë së Veriut. Të gjitha vendet anëtare të OKB-së do të duhet të mbajnë vigjilencën kundër përpjekjeve të qëllimshme nga Shtetet e Bashkuara për të minuar atmosferën paqësore që është krijuar në gadishullin Korean,”thekson deklarata.

Pheniani shtoi se ishte “mjaft qesharake” për SHBA-të që të shihnin sanksionet si “ilaç për të gjitha problemet”.

SHBA nuk ka reaguar ende ndaj deklaratës së Koresë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *