Debate në Kuvend për 100 ditët e para të Qeverisë “Mustafa”

Opozita në Kosovë e vlerësoi me nota negative punën e Qeverisë në 100-ditëshin e parë, gjatë debatit parlamentar për këtë çështje.

Deputeti nga radhët e subjektit “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj e cilësoi Qeverinë “Mustafa” si vazhdimësi të Qeverisë “Thaçi”, për faktin se ka miratuar buxhetin e hartuar më parë pa ndryshime. Limaj theksoi se, në të njëjtën kohë debatohet për programin e Qeverisë dhe për 100-ditëshin, në vend që – sipas tij – të disktutohej puna e bërë në 100 ditë, e bazuar në programin qeverisës.

Debati për punën 100-ditëshe të Qeverisë “Mustafa” është nxitur nga shefi i grupit parlamentar, Glauk Konjufca. Ai ftoi për miratimin e disa rekomandimeve, që kanë të bëjnë me detyrimet e Qeverisë ndaj Kuvendit dhe qytetarëve.

Përplasjet mes kryeministrit Isa Mustafa dhe Glauk Konjufcës, edhe këtë herë ishin të pashmangshme. Mustafa e quajti përmbajtje me plot të pavërteta mocionin e Vetëvendosjes dhe, krahas arritjeve në 100 ditët e para, ai foli edhe për programin e Qeverisë.

Kritikat në adresë të Qeverisë nuk ishin vetëm të opozitës. Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për festivale nga ministri i Kulturës, Kujtim Shala, duke e kritikuar këtë vendim si të pa drejtë. Qeveria e Kosovës i ka bërë 100 ditë më 25 Mars, ndërsa u krijua si rezultat i marrëveshjes me PDK-në dhe “Listën Serbe”, pas një bllokade institucionale 6-mujore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *