Dhuna ndaj studentëve, Basha: Rama ka vulosur fatin e tij më keq së të Ramiz Alisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar si një akt shumë të rëndë ndërhyrjen e policisë në grevën e studentëve të Mjekësisë. Sipas tij, Rama nuk është në gjendje që të pranojë mendimin ndryshe, e për pasojë po trondit themelet e demokracisë. “Tirana, Shqipëria, nuk është më e njëjta që prej mesnatës së djeshme, më saktë prej orëve të errëta të mëngjesit. Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur. Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli. Ka vendosur me dhunë të ndalojë vlerën më themelore në demokraci, oksigjenin e saj, që është e drejta për t’u organizuar, për të shprehur kundërshtimin me qeverinë, për të kërkuar drejtësi” tha Basha gjatë daljes së tij në media.

Sipas kreut të opozitës, prej një viti studentët kërkuan të drejtën e tyre për tu studiuar dhe fakti që nuk morën përgjigje nga qeveria, i detyroi ata që të futen në grevë. “ Edi Rama jo vetëm ua ndalon, por mbrëmë, në orë 2 e 30 pas mesnate, në errësirën e hajnave e cubave, shfaqet para tyre i dhunshëm, u heq dhe të drejtën për të protestuar, të drejtën për ta kërkuar drejtësinë e mohuar. Nuk janë vetëm studentët e Tiranës, por janë dhe të Peshkopisë në protestë që këtë muaj u ndërpritet e drejta e studimit dhe transferohen në Durrës, janë dhe studentët e Elbasanit, Vlorës e Gjirokastrës që nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara. Mbrëmë ishte nata e thyerjes së xhamave në Tiranë. Skalionet e policisë të armatosur rëndë, që kanë harruar ligjin dhe udhëhiqen vetëm nga porositë politike, thyen dritaret e dyert e godinës, u futën me dhunë në atë ambient ku studentët po mbanin gjallë të drejtën e fundit që u kishte mbetur, i morën zvarrë duke i lidhur duart me fasheta të mprehta plastike, i përplasën duke i kapur nga flokët, djem e vajza.

I futën në makina private me targa falso, i goditën dhe në komisariat në qeli, i kërcënuan, i poshtëruan, e çuan deri në fund porosinë e kryeministrin për frikësimi dhe terrorizimin për së gjalli. Të paktën 12 prej tyre u vizituan nga deputetët tanë në Spitalin Ushtarak ku po mjekohen. Një pjesë janë dërguar në spitalin civil, shenjat e plagëve i kanë akoma të freskëta. Partia Demokratike e konsideron këtë akt, një sulm banditesk të paligjshëm. Partia Demokratike, fajëson e bën direkt përgjegjës Edi Ramën për konfliktin civil që e ka nisur prej ditës së parë si kryeministër, e që mbrëmë shënoi një kulm tjetër. Me aktin e djeshëm, ai jo vetëm që ka minuar themelet e bashkëjetesës demokratike por vetë legjitimitetin e tij si kryeministër, me guximin për të bërë me studentët atë që nuk guxoi Ramiz Alia, ka vulosur fatin e tij më keq së të Ramiz Alisë”, akuzoi kryedemokrati. Në daljen publike ai i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studenteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *