Dita Botërore kundër Hepatit, analiza falas në disa poliklinika të Tiranës

Shtatë në 100 persona në Shqipëri janë të prekur nga virusi i Hepatitit B. Ky virus është i rrezikshëm pasi prek organizmin dhe qëndron i fshehtë duke e dëmtuar ngadale atë, ku shpesh individi mund të mos ketë dijeni për praninë e tij dhe e lë të avancojë.

Por pasojat në stade të avancuara janë të rënda, deri dhe vdekjeprurëse. Mjekët theksojnë se virusi mund të merret nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, transfuzionit të gjakut por dhe nëpërmjet disa rrugëve të tjera të thjeshta, të cilat duhen evituar.

“Transmetimi bëhet nëpërmjet tatuazheve, pirsing, kryesisht transmetohet hepatiti C por dhe B-ja, nëpërmjet dentistit, një dentist që nuk është i ndërgjegjshëm, që nuk sterilizon. Kur personat kanë shumë partnerë, nëpërmjet briskut të rojës, kur e këmbejnë shokët ose familjarët. Vajzat ose gratë që ndërrojnë vathin. Virusi mund të qëndrojë për vite në vathë dhe u transmetohet disa personave me radhë”, thotë Vigjilenca Demiraj, specialiste, gastrohepatologe.

Ndonëse Shqipëria konsiderohet me prevalencë të vogël me vetëm 7 % aktualisht nga 18 % që përllogaritej në vitet ’90 ,mjekët insistojnë në depistimine popullatës.

“Ne i bëjmë apel të gjithë popullatës të testohet në lidhje me hepatitin B dhe C, për vetë faktin që për to duhet të ketë kujdes shëndetësor dhe ka mjekim që frenon sëmundjet”, tha Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP.

Në ditën botërore kundër Hepatit B, Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar që në disa poliklinka të kryeqyetit, polilinika numër 9, 1 dhe ajo qëndrore analizat e gjakut për këtë qëllim të kryhen falas me qëllim që ky virus të kapet në kohë. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj përveç kësaj ka garantuar edhe futjen e disa medikamenteve që trajtojnë sëmundjen që shkaktohet nga hepatiti në listën e barnave të rimbursueshme.

“Sigurisht që 10-12 vitet e fundit Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm. Në moshat 0-18 vjeç kemi prevalencë zero, në grupet e riskut kemi një shkallë mbulim vaksinimi rreth 98% po besoj që është e domosdoshme të zgjerohet në të gjithë popullatën. Gjithashtu, në vitet e fundit kemi përfshirë në skemat tona të mjekimit, dhe në listën e rimbursimit barna të reja që janë në gjendje të mjekojnë me efektivitet ato raste kur sëmundjet kapen në stade shumë të avancuara”, tha ministri Ilir Beqaj.

Në programin e vaksinimit në Shqipëri përfshihet edhe vaksina kundër hepatit B, e cila u bëhet fëmijëve të porsalindur, grupeve të riskut, dhe të gjitha bluzave të bardha.

Leave a Reply