EDHE SULEJMAN REXHEPI KUNDËR FETO-S?!

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, në një emision që transmetohet në “Art Channel”- Tetovë, mes tjerash u përgjigj edhe në pyetjet lidhur me kolegjet e themeluara nga levizja e Fetulla Gylenit.

Kryetari i BFI-së mes tjerash tha:

“E gjithë bota po e shikon se po aq sa radikale, kolegjet e Fetullah Gulenit janë gjithashtu të zvetënuara. Ata e shfaqin veten si institucione me kulturë, me disiplinë dhe të këndshëm, por aktivitetet e tyre të nëndheshme janë ndryshe. Prandaj nuk i mbështesim këto. Duhet të dalin jashtë vendi ashtu siç kanë hyrë. Të gjitha familjeve, që i dërgojnë fëmijët në kolegje, u imponojnë fitrën, zeqatën dhe çdo gjë. Kanë tërhequr me vete një pjesë të madhe të xhematit. Dhe kur familjet i kanë fëmijët atje, ato bëjnë gjithçka; mirëpo ata s’kanë të drejtë të ndërhyjnë apo përzihen në këto burime.”

Burime brenda BFI-së njoftojnë se pyetjet lidhur me FETO dhe kolegjet e tyre në Maqedoni kanë qenë të porositura nga vet Kryetari i BFI-së dhe shtojnë se këto deklerata gjatë këtij muaji të Ramazanit janë vetëm si pjesë e fushatave që i bën ai kundër të gjitha shoqatave dhe organizatave të ndryshme që mbledhin nga zeqatet dhe fitrat e besimtarëve të vendit! Ka pasur raste, kur ka qenë edhe më i ashpër, sikurse e kemi rastin kur gjatë një interviste për Zeri i Amerikës foli rëndë kundër Forumit Rinor Islam në Maqedoni.

 

Burimet tona thonë se dekleratat e këtilla kundër FETO-s mund të jenë edhe si pasojë e zhgënjimit të tij nga kjo lëvizje nga e cila ai kishte pritshmëri të mëdha. Vlenë të nënvizohet se qysh nga fillimi i vitit 2015 ai personalisht e kishte kontaktuar  personin Ahmet Osmani, gostivaras i cili punon në Kolegjin JAHJA KEMAL, përmes të cilit kërkon të takohet me drejtorin e ZAMAN-it në Maqedoni. Ishte hera e parë që Sulejman Rexhepi personalisht e organizon takimin, dhe jo përmes punëtorit dhe përkthyesit të tij gjatë takimeve me zyrtarë turq, Nizam Reshit!

 

Burime të sigurta brenda BFI-së bëjnë të ditur se muajve të parë të vitit 2015, kryetari i BFI-së i ka njoftuar  gylenistët në Maqedoni se kinse ai ka informacione të sigurta se pritet të merren masa kundër tyre, se do t’u konfiskohen të gjitha pronat në Maqedoni. Ai gjithashtu u ka ofruar edhe një mundësi për t’ua mbrojtur pronat, u ka propozuar që pronat e tyre t’i hedhin në pronësi të BFI-së për aq kohë sa ato të jenë të rrezikuara nga presionet e Qeverisë turke. Por një gjë e këtillë, përkundër pritshmërive të mëdha të Sulejman Rexhepit, nuk ndodhi. Me sa duket, lidhjet e forta që gulenistët kishin me pushtetin, në veçanti me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, ata nuk janë ndjerë të rrezikuar deri në atë shkallë sa për të pranuar propozimin e kreut të BFI-së.