Edi Rama, si alibi e opozitës që nxjerr në pah pafuqinë e saj

Nga Altin Ketro /

Nga protesta e opozitës e datës 16 shkurt kam mbetur i befasuar. Befasia është e dyfishtë. Ajo rrjedh jo vetë për faktin se aty rol protagonist mori ish-kryeministri Berisha me prononcimet e herëpashershme të drejtpërdrejta në televizionet informative, por edhe fakti që ishte po ai që nxiste dhunimin e godinës së kryeministrisë prej një grupimi agresiv që ishte frymëzuar përgjatë një muaji nga lideri Basha me idenë se ashtu do rrëzohej qeveria “Rama”.

Është e pabesueshme se si njeriu, politikani e shtetari që para 8 viteve justifikonte me rregullore vrasjen pa shkak të 4 demonstruesve paqësorë në bulevardin poshtë zyrës së tij, po i njëjti sot përligj si të drejtë sulmimin dhe pushtimin e kryeministrisë me dhunë. Vrasjet e 21 janarit kam besuar se për Berishën do të ishin vija e kuqe dhe kufiri të cilin ai s’do mund ta kalonte më, duke iu përmbajtur tezës së tij, sado të çmendur.

Nga ana tjetër Lulzim Basha u investua një muaj rresht për këtë protestë. U lodh e i ra bretku qytet më qytet për të frymëzuar mbështetës për protestën e datës 16 shkurt. Personalisht kam dëshiruar që të kishte pjesëmarrje sepse e shihja këtë protestë si një mënyrë trimërimi nga opozita për të hyrë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Fatkeqësisht opozita e shpërdoroi këtë mundësi shumë të mirë për t’u paraqitur në sytë e elektoratit si një alternativë e denjë dhe dinjitoze për të ardhur në pushtet. Nëse ngjarja e 21 janarit u përjetua si tragjedi, kopjimi i saj prej opozitës së sotme pashmangshmërisht do vinte si një farsë. Ideja idiote për të pushtuar ambientet e COD-it në kryeministri, një hapësirë moderne artistike dhe intelektuale, për ta vënë atë nën pushtetin e turmave vandale që, me ç’pashë me atë që i ndodhi kërpudhës, do e kishin vandalizuar edhe atë sallë për t’u ngujuar aty s’e di për çfarë, ishtë mënyra më e keqe për të përcjellë edhe tek njerëzit me dy para mend në kokë, se këta janë potencialisht të rrezikshëm për të ardhur së afërmi në pushtet.

Gjatë këtij fillim viti opozita u investua shumë të ngrinte moralin e të vetëve, e jo vetëm, që Partia Socialiste ka ardhur në pushtet nga krimi i organizuar. Për këtë përdorën disa përgjime telefonike të prokurorisë. Përgjime që në vetvete nuk provojnë asgjë. A doni një shembull të provuar se si kjo opozitë ka mbajtur pushtetin në të kaluarën? Nuk po e marr fare në referencë 26 majin e vitit 1996. Po spostohem në kohë, vetëm 10 vjet më parë, në vitin 2009, kur PD-ja “siguroi” mandatin e saj të dytë qeverisës. Në një zonë zgjedhore, opozita e kohës, PS, arriti mes shumë vështirësish të sigurojë provat e nevojshme se në komunën Rruzhie manipulimi ishte kryer në mënyrë flagrante. Qeveria kishte arritur që të sigurojë votat e atyre që ditën e votimit ishin jashtë shtetit dhe s’kishin shkelur fare në Shqipëri. Kjo kishte sjellë një rezultat të thellë për Partinë Demokratike në atë njësi zgjedhore.

Pas atij zbulimi, për të cilin prokuroria nisi procedimin penal ku u dënuan edhe komisionerët, Partia Socialiste kërkoi me këmbëngulje hapjen e kutive të votimit në një sërë qendrash të dyshuara për këtë lloj skeme manipulimi. Ajo, jo vetëm nisi fushatën: “Sali, hap kutitë ose largohu”, por pas një tubimi gjigand në bulevard, vendosi të futej në grevë urie në çadrën që ngriti poshtë zyrave të kryeministrit Berisha. Është e njëjta çadër që e kopjoi 8 vjet më pas Lulzim Basha, por sërish si një farsë.

E dini çfarë bëri Berisha? Jo vetëm që nuk guxoi të hapë asnjë kuti, por nxitoi t’i djegë shpejt e shpejt me benzinë të gjitha ato duke e dokumentuar këtë edhe me pamje televizive. Të mendosh që në koalicion me PD-në në atë kohë ishte edhe LSI-ja, por as ajo nuk iu bë krahë opozitës për këtë të drejtë të saj, dhe jo vetëm nuk e detyroi PD-në të hapë kutitë, por vijoi të qeverisë e qetë me ta.

Edi Rama e nxorri PS-në nga çadra dhe greva e urisë pa asnjë bereqet për opozitën, pas një darke të gjatë që konsumoi me ndërmjetësi ndërkombëtare në restoratin “Krokodil” në Paris, me kryeministrin Berisha, por kurrë nuk iu quajt tradhëti e kauzës. Kopjimi që i bëri asaj Lulzim Basha në vitin 2017, jo vetëm që e nxorri të njollosur në sytë e aleatëve, tradhëtar në sytë e militantëve, por edhe vetë kauza iu përkthye si një farsë nga elektorati.

Po mirë, ju mendoni se PD-ja zuri mend nga rasti i Rruzhdies dhe nuk do e përsëriste më?! Jo, aspak. Në zgjedhjet vendore të majit 2011 atë skemë e përsëriti në komunën Dajç të Lezhës ku fitues rezultoi kandidati i PD-së. Edhe atëherë opozita e kohës i kishte të limituara të drejtat e kontrollit, por së paku aty arriti ta dokumentojë me prova manipulimin me po të njëjtën skemë; votimin e emigrantëve që nuk ishin fare në Shqipëri ditën e votimit. Edhe në këtë rast pati dënime komisionerësh me burg.

Shembujt e lartpërmendur janë sinjifikativë, sepse nuk kemi të bëjmë me përgjime bisedash telefonike, por me dokumentim faktik të ndodhisë së manipulimit. As PD-ja e as LSI-ja nuk e prishën terezinë dhe, ndonëse ishin të vetëdijshëm, qeverisën të qetë pavarësisht se iu ishte provuar në gjykatë manipulimi.

Prandaj më vjen të qesh se si sot Basha dhe Kryemadhi bëjnë moral mbi një çështje ku ata janë më të njollosur se askush tjetër. Në këtë rast më ngjajnë me Berishën që sot nxit protestuesit për të pushtuar kryeministrinë, kur dje të vriste po ta bënin këtë gjë edhe duke qëndruar 100 metra larg gardhit rrethues.

Kryetari i PD-së ka edhe një mos koherencë kur bën krahasime për kryeministrit Rama. Përpara protestës e paralajmëruan atë se do pësonte fatin e Gruevskit, ndërkohë që zoti Basha dhe zonja Kryemadhi ishin ndër të parët që e uruan zotin Gruevski për fitoren e zgjedhjeve. Të mos ishte investimi i zotit Rama për të unifikuar faktorin shqiptar që të mbështeste opozitarin Zaev për kryeministër, sot do kishim zotin Gruevski kryeministër të Maqedonisë, por s’do kishim as marrëveshje me Greqinë, as anëtarësim të saj në NATO, e as gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare atje.

Kryeopozitari Basha e krahason Ramën me Presidentin Maduro të Venezuelës. Por krahasimi çalon, sepse kryeministri Rama nuk vrau asnjë protestues për të mbajtur pushtetin. Maduro, në fakt, kopjoi Berishën, duke ndryshuar nga ai vetëm tek numri i të vrarëve. Bile, vrasjet e 21 janarit nuk përbënë as shkak që Berisha të zhvillonte zgjedhje të parakohshme, por qeverisën të qetë me LSI-në edhe dy vite të tjera, ndërkohë që Maduro të paktën e ka premtuar një gjë të tillë.

Partia Demokratike e akuzon Ramën se bën çdo gjë për pushtet. Kjo është një miopi politike e saj sepse nëse ai do e kishte këtë merak i mbante në koalicion LSI-në dhe PDIU-në dhe PD-ja kësisoj nuk vinte kurrë në pushtet. Mjafton që Rama t’u linte këtyre partive ato përqindje pushteti që ato kërkonin, t’i linte të qetë të bënin ç’të donin me ato përqindje dhe ai koalicion ishte pafundësisht i pathyeshëm. Rama mund të bënte edhe favore të tjera elektorale. Për shembull, mund të lejonte ndërtimet pa leje si t’ua donte qejfi kujtdo, mjafton që të votonin PS-në. Mund t’i linte abonentët e OSHEE-së të vidhin energjine elektrike ose të mos e paguanin fare atë, mjafton që të votonin PS-në. Mund të jepte ndihmën ekonomike sipas modelit të vjetër të dorovitjes së kujtdo që votonte pushtetin dhe kështu i kishte votat e sigurta.

Ka edhe shumë shembuj të tjerë të të mirave që të ofron pushteti me të cilat mund të bëje fare kollaj vota elektorale, por Rama vendosi që t’i çojë deri në burg këto kategori votuesish, pa e vrarë mendjen se po humbet vota. Ja pra që ai elektorati gri, që bën diferencën, e mirëpriti këtë mënyrë veprimi dhe ia besoi votën duke e mbajtur në pushtet. Edi Rama e vulosi përfundimisht faktin se nuk është i etur për pushtet qysh kur nuk e kundërshtoi me protesta popullore grabitjen e shëmtuar të drejtimit të bashkisë Tiranë që i bëri Berisha nëpërmjet Ristanit për t’ia dhënë fitoren në tavolinë Lulzim Bashës.

Së fundmi, opozita ka thënë se do marrë në shqyrtim vendimin për të djegur mandatet. Logjikisht mandati digjet kur ke munguar në Kuvend në seancë plenare ose komisione parlamentare për 6 muaj me radhë. Në kushte të tjera mandati dorëzohet vullnetarisht. Kjo opozitë, ndonëse formalisht sa për sy e faqe duket e bashkuar, përcjell një dëshpërim të thellë teksa artikulon këto vendime ekstreme. Më shumë se sa me Ramën, ata po e përmendin atë si një lloj alibie për shkak të pafuqisë që kanë për ta mundur në zgjedhje.

Dyshoj se në këto kushte do të kemi thjesht një bojkot të ri të Kuvendit, me idenë se mandatet do digjen vetiu pas 6 muajsh e deri atëherë me të parë e më të bërë. Kësisoj justifikojnë edhe mos përballjen në zgjedhjet vendore me Partinë Socialiste. Se sa do të jetë e zonja PD-ja ta mbajë të bashkuar opozitën në këtë pikë, kjo do të jetë një mision i vështirë prej saj. Ajo që duket e sigurt është se Lulzim Basha po punon me mish e me shpirt që ta nxjerrë PD-në nga skena politike dhe veprimet e fundin nuk lënë asnjë hije dyshimi në këtë drejtim. Sa më parë ta kuptojnë të tjerët këtë gjë, aq më mirë për ta. Në të kundërt, as alibia “Rama” s’do u pijë më ujë.(TemA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *