Eksperti amerikan: Ndarja e Kosovës, pjesë e planit strategjik të Putinit

David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme ka theksuar se presidenti rus e sheh Kosovën si një projekt amerikan dhe destabilizimi i vendit është mënyra e Putinit për t’u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e NATO-s. Sipas tij, ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të shtetit të tij duke e forcuar Serbinë. ‘Presidentët Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin u pajtuan shumë mirë gjatë takimit që zhvilluan në Paris, por ne nuk duhet të mashtrohemi sepse Rusia nuk është mike e Kosovës e as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’. Kështu ka theksuar David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme.

Eksperti amerikan po ashtu ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj për çështjen e kufijve në shtator të këtij viti i ka shkruar letër këshilltarit të sigurisë kombëtare në SHBA, John Bolton, ndërsa nga një kopje të kësaj letre u është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe sekretarit të Mbrojtjes James Mattis.

“Letra e Haradinajt i komunikoi pikëpamjet e tij mbi përpjekjet e rrezikshme dhe destruktive nga disa elementë të Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në një lloj shkëmbim territori. Aq sa di unë, Bolton nuk u përgjigj në këtë letër. Për më tepër, SHBA-ja nuk ka arritur të shprehë qartë qëndrimin e saj mbi ndarjen. Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike” tha Phillips gjatë një interviste për Zeri.Info.

Phillips ka folur edhe për vizitën e fundit në Serbi dhe në Kosovë të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Matthew A. Palmer, e cila vizitë, sipas tij, më shumë krijoi konfuzion sesa qartësi. “Palmer gjatë kësaj vizite shfuqizoi rolin udhëheqës të Amerikës. Ai këmbënguli se SHBA-ja nuk ishte ‘një palë negociuese’ për detajet e normalizimit në mes të Serbisë dhe të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Por gjatë vizitës në Kosovë ai u shpreh se ‘nuk është e vërtetë se dua të ndryshoj kufijtë’. Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *