Erdogan: Vrasja e Khashoggit ishte e planifikuar, të involvuarit të gjykohen në Stamboll

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, që ndodhi në Konsullatën Saudite në Stamboll, ishte e planifikuar, si dhe theksoi se kërkesa e tij është që 18 personat e lidhur me vrasjen Khashoggi të gjykohen në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti turk, i cili u adresua në Klubin e deputetëve të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit në Parlamentin turk, ka folur mbi detajet lidhur me vasjen e gazetarit Khashoggi. Ai bëri të ditur se një ekip saudit bëri inspektime në Pyllin “Belgrad” të Stambollit dhe provincën “Yalova” para vrasjes së Khashoggit.

Erdoğan theksoi se tashmë Konventa e Vjenës me gjasë të madhe do të vihet në diskutim, duke shtuar se, “Konventa e Vjenës nuk do të lejonte të ndodhte një vrasje e tillë ‘brutale’ në një ndërtesë konsullate”.

“Qeveria e Arabisë Saudite zyrtarisht pranoi për vrasjen e Jamal Khashoggit 17 ditë pas vrasjes së tij”, tha ai, si dhe shtoi se, “Qeveria e Arabisë Saudite duke e pranuar vrasjen, hodhi një hap të rëndësishëm. Pas kësaj, prej tyre presim që me sinqeritet të nxjerrin në pah të gjithë përgjegjësit dhe t’i dënojnë para ligjit”.

Presidenti turk theksoi se kërkesa e tij është që 18 personat e lidhur me vrasjen Khashoggi të gjykohen në Stamboll. Sipas tij, nëse deklarata se kufoma e Khashoggit i është dhënë bashkëpunëtorit të brendshëm është e saktë, atëherë, tha Erdoğan, “kush është ai, duhet të sqaroni”.

“Informacionet dhe faktet e deritanishme tregojnë se Jamal Khashoggi ishte viktimë e një vrasjeje mizore”, theksoi ai.

Presidenti turk po ashtu theksoi se “fajësimi i vetëm disa pjesëtarëve të sigurisë dhe inteligjencës për Khashoggin nuk është i kënaqshëm për ne, as për komunitetin ndërkombëtar.”.

Khashoggi për herë të fundit u pa më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe vizituan konsullatën, në kohën kur gazetari ishte ende brenda, kanë njoftuar burime të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim të enjten, pasi kreu ekzaminime në rezidencën e konsullit dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *