“Eurovision”, Elhaida Dani më “e gjallë” se kurrë, por triumfon Suedia

Elhaida Dani ka shkëlqyer më shumë se kurrë në natën finale të “Eurovision”-it, të zhvilluar në Vjenë të Austrisë, teksa ka interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme këngën me titull “I’m Alive”.
Performanca e saj ka qenë tejet pozitive, duke treguar edhe njëherë potencialin e jashtëzakonshëm vokal të saj, ashtu siç bënte pak vite më parë edhe në “The Voice of Italy”, por edhe në finalen e edicionit të 9 të “Top Fest”, ku edhe triumfoi me këngën “S’je më”.

E megjithatë, as edhe një zë brilant si ai i shkodranes, nuk ka mjaftuar për të zënë ndonjë prej vendeve të kreut. Sa i përket eventit, fillimisht u interpretuan sipas rendit të paracaktuar 27 këngët finaliste, mes të cilave edhe ajo e Elhaidës, e parafundit. Më pas u dhanë 15 minuta në dispozicion të teleshikuesve anembanë botës për të votuar, për t’i ardhur radha shpërndarjes së pikëve.

Shqipëria, tre vlerësimet maksimale i bëri respektivisht ndaj Italisë, Greqisë dhe Rusisë; me 12 pikë, 10 pikë dhe 8 pikë secila. Por, më zhgënjyesja është sasia e pikëve të grumbulluara: 12 pikë prej fqinjëve tanë të Maqedonisë, 10 nga Mali i Zi, si dhe me 6 pikë na vlerësoi Greqia e Belgjika, të pamjaftueshme krahasuar me pritshmëritë përpara këtij evenimenti, duke u renditur në vendin e 17 me 34 pikë.

E megjithatë, një fitues pati dhe ai ishte këngëtari i Suedisë me këngën “Heroes”, duke lënë pas Rusinë dhe Italinë.

 

Leave a Reply