“Evropa duhet të tregojë fuqinë që të mbijetojë”

Evropa duhet të luajë një rol shumë më të madh në rendin botëror që po ndryshon, mendon ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Ai kërkon politikë me besim më të madh në vete – para së gjithash përballë SHBA.

 

“Vetëm po t’i përcaktojë BE interesat e tij e edhe ta demonstrojë fuqinë e tij, mund të mbijetojë”, tha ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel në forumin e Berlinit Politika e jashtme të fondacionit Körberstiftung. “BE, Evropa nuk është faktor i vërtetë në botë“.

Evropa duhet t’i përcaktojë interesat e saj, përndryshe do ta ketë të vështirë me ushtrimin e pushtetit, tha Gabriel.

Gabrieli kërkoi në këtë kuadër edhe një politikë të re gjermane ndaj SHBA. Nën Presidentin Trump, SHBA e luajnë vetëm “të dobësuar” rolin e tyre si fuqi botërore që formëson botën.

Ndoshta edhe SHBA e vështrojnë ndryshe nga më parë Gjermaninë, “si një partner midis shumë partnerëve”. Por kjo do të thotë detyrimisht edhe që “ne perceptohemi detyrimisht si konkurentë”.

Jo frikë nga vijat e kuqe

Gjermania duhet t’i mbrojë në të ardhmen me besim më të madh në vete interesat e saj, kërkoi Gabriel. Në rast nevoje duhet të hiqen “vija të kuqe” – midis partnerëve, por “të orientuar në interesat tona”.

Si shembuj Gabrieli përmendi sanksionet kundër Rusisë, të cilat i vendosi në verë kongresi i SHBA dhe të cilat mund të kenë pasoja edhe furnizimin me energji në Gjermani, sepse prekin tubacionet e furnizimit të Rusisë.

Ministri i Jashtëm paralajmëroi më tej për pasoja largvajtëse, po ta njohin SHBA Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. “Një zgjidhje e problematikës së Jeruzalemit mund të gjendet vetëm me negociata të drejtpërdrejta midis të dyja palëve”, tha Gabrieli.

“Wall Street Journal” pati informuar se Trumpi ndodhet para njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet. Statusi i ardhshëm i Jeruzalemit bën pjesë në çështjet më komplekse, që kanë penguar deri tani një zgjidhje paqësore midis Izraelit dhe palestinezëve.(DW)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *