Gazetarët të shqetësuar për lirinë e shtypit në Britani gjatë pandemisë

Liria e shtypit po kërcënohet në Britani, thonë grupet e medias, duke paralajmëruar se qeveria e Kryeministrit Boris Johnson po krijon një klimë armiqësore dhe po nxit mosbesim ndaj gazetarëve në popullatë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton se tensionet mes gazetarëve dhe qeverisë janë acaruar edhe më tej nga pandemia.

Tensionet mes qeverisë dhe medias janë acaruar pas artikujve të fundit se Dominic Cummings, këshilltari kryesor i kryeministrit britanik kishte thyer rregullat e izolimit në banesë, ndërkohë që ishte i sëmurë me koronavirus.

Qeveria tha se nuk do t’u përgjigjej më pyetjeve nga dy organet e shtypit: Mirror dhe Guardian, të cilat i etiketoi si “gazeta që bëjnë fushata politike”.

Terma të tilla janë shqetësuese, thotë Rebecca Vincent e organizatës pro lirisë së shtypit “Gazetarët Pa Kufi”.

“Aktualisht në Britani po shohim një intensifikim të qëndrimeve armiqësore nga qeveria kundrejt shtypit. Megjithëse nuk po përdor termin “lajme të rreme”, po shohim një retorikë alarmuese, akuza se gazeta të besueshme po kryejnë funksione politike fushate dhe se nuk duhet t’u kushtohet vëmendje raportimeve të tyre në interesin publik”.

Kryeministri Boris Johnson këmbëngul se mbulimi kishte probleme:

“Shumë nga ato që u shkruan dhe u thanë të shtunën e të dielën ishin fallso, për sa i përket sjelljes së këshilltarit tim,” tha zoti Johnson.

As kryeministi, as këshilltari i tij nuk kanë ofruar prova për të kundërshtuar argumentet e ngritura nga gazetat.

Shoqata Britanike e Redaktorëve dhe Shoqata e Gazetarëve të Huaj kanë paraqitur ankesa se disa gazetarë nuk u njoftuan për konferenca për shtyp të zhvilluara online gjatë pandemisë, duke shtuar se ky format po përdoret për të mos lejuar pyetje pasuese lidhur me deklaratat.

“Mikrofoni i gazetarit mbyllet thuajse menjëherë pasi bëhet pyetja e parë, nganjëherë mbyllet vetëm pasi është bërë një pjesë e pyetjes së parë. Nuk lejohen pyetje pasuese,” thotë Rebecca Vincent, e organizatës Gazetarët Pa Kufi.

Zonja Vincent beson se qeveria britanike po kopjon metodat e administratës Trump:

“Thjesht nuk dëgjojmë termat “lajme të rreme, media e korruptuar”, megjithatë administrata britanike ka gjetur mënyrën e saj të bëjë të njëjtën gjë, ajo po nxit një qëndrim armiqësor të publikut ndaj medias, si dhe po dëmton besimin e publikut tek shtypi,” thotë zonja Vincent.

Zyra e Kryeministrit Boris Johnson nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente. Qeveria ka hedhur poshtë akuzat se po pengon shtypin e lirë./VoA/

Leave a Reply