Gjobat dhe privatizimet rrisin të ardhurat në buxhet

Të ardhurat totale në buxhet arritën në 86.6 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat janë me 4.5 miliardë lekë më të larta, por më shumë se ecurinë pozitive të taksave, rezultati reflekton një rritje të pazakontë në të ardhurat jotatimore.

Sipas të dhënave, të ardhurat që mbledhin Tatimet dhe Doganat ishin  në tremujorin e parë 56.6 miliardë lekë, ose vetëm 300 milionë lekë më shumë se vjet, kur vetëm nga rritja e taksave dhe inflacioni të ardhurat shtesë duhet të kishin qenë disa herë më e lartë.

Ecuria e dobët në mbledhjen e taksave dhe tatimeve është rekuperuar pjesërisht nga rritja e kontributeve për sigurimet shëndetësore. Ndërsa të ardhurat nga taksimi i punës, qoftë tatimi mbi të ardhurat personale, ashtu edhe sigurimet shoqërore, janë më të ulta se vjet, kjo në një kohë kur qeveria deklaron se numri i të punësuarve është rritur me me 93 mijë vetë krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë shpëtimi i buxhetit për tre muajt e parë ka qenë një rritje e pazakontë në të ardhurat jotatimore, me mbi 3.4 miliardë lekë.  Në këtë zë futen gjobat dhe transfertat e pazakonta që institucionet e shtetit bëjnë në buxhet dhe në këtë rast shkaku duket shitja e licencës 4G.

Në kahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, qeveria ka vazhduar të ndjekë një politikë të shtrënguar, si rrallëherë në një vit elektoral. Sipas të dhënave shpenzimet totale u rritën me vetëm me 2 miliardë lekë më shumë se vjet, ndërsa huamarrja rezultoi më e ulët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *