Grekët ngrihen në protestë kundër emrit të Maqedonisë

Teksa Parlamenti grek ka paralajmëruar se do të mblidhet për të votuar Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, në qendër të Athinës janë mbledhur mijëra qytetarë për të shprehur kundërshtinë. Protestuesit kanë mbërritur kryesisht nga Greqia Veriore dhe Qëndrore dhe janë mbledhur përpara Parlamentit.

Forcat e policisë kanë marrë masat dhe kanë rrethuar perimetrin për të garantuar sigurinë publike. Nga ajri kryhen vëzhgime me helikopter dhe dronë. Masat e sigurisë janë shtuar edhe në godinën e Kryeministrisë. Protestat vijnë pasi Parlamenti ka njoftuar se do të kalojë për votim Marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë.

Për shkak të kësaj marrëveshje, doli nga koalicioni qeveritar edhe partia “Grekët e Pavarur” e Panos Kamenos, i cili ishte edhe ministër i Mbrojtjes. Dorëheqja e tij bëri që Tsipras të kërkonte mocion besimi në Parlament për qeverinë. Me votat edhe të disa deputetëve të pavarur dhe të partisë së Kamenos, qeveria e Kryeministrit Tsipras i mbijetoi mocionit, duke i hapur rrugë kështu votimit në Parlament të marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit. Shkupi zyrtar e ka miratuar në Parlament para më shumë se një jave Marrëveshjen e Prespës, dhe tani është radha e Greqisë.

Leave a Reply