Greqia, e gatshme të presë 20 mijë refugjatë të tjerë… me financimin e BE-së

Greqia ka bërë të ditur këtë të hënë se, Bashkimi Europian është ofruar të paguajë kostot e akomodimit të 20 mijë emigrantëve të tjerë sirianë në kampet e përkohshme të refugjatëve të ngritura në ishujt grekë, për sa kohë që blloku po has pengesa në përmirësimin e menaxhimit të fluksit të refugjatëve anembanë Europës.

Më shumë se 500 mijë emigrantë kanë kaluar tranzit nëpër Greqi gjatë këtij viti, shumica e të cilëve i janë larguar luftës civile në Siri. Një pjesë e mirë e tyre kanë për destinacion vendet më të zhvilluara ekonomikisht të Perëndimit apo Europës Veriore, veçanërisht Gjermaninë.

Greqia, e cila është e zhytur në një krizë ekonomike disavjeçare, e bëri të qartë se gatishmëria e saj për t’u dhënë strehim më shumë refugjatëve është e kushtëzuar me ndihmat financiare nga BE, me mirëkuptimin që atyre që do t’u ofrohet strehim të shpërndahen më vonë në vende të tjera europiane e jo të qëndrojnë në Greqi.

“Ajo që arritëm të nxirrnim nga partnerët tanë të BE-së ishte se ky hap i yni do të financohej nga Bashkimi Europian, gjë që nuk ka qenë diskutuar deri më tani. Ngritja e kampeve të reja për ta do të varet nga financimi i BE-së”, tha ministri grek i Emigracionit, Ioannis Mouzalas.

I pyetur nëse do të ishte e mundur që këto streha të ngriheshin deri në fund të këtij viti, ai u shpreh shkurt dhe qartë: Nëse do të jetë i mundur financimi i tyre, atëherë po, përndryshe nuk do të jenë gati.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord në një minisamit të zhvilluar në Bruksel të dielën, për të bashkëvepruar në menaxhimin e fluksit të emigrantëve përmes Greqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, në mënyrë që të ndihmohet në lehtësimin e krizës, që kërcënon të vendosë shtetet europiane kundër njëra-tjetrës.

Leave a Reply