Hapen ambiente të reja në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës

Shkurtohet koha e kalimit të njerëzve dhe mallrave nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo, sepse pika e kalimit kufitar të Morinës është tashmë tërësisht e rinovuar, duke shtuar numrin e posteve të punës dhe rregullimin e hapësirave.

Në një ceremoni të zhvilluar sot në Morinë të Kukësit, janë përuruar ambientet e reja të kësaj pike të kalimit kufitar, në mbyllje të një projekti të menaxhuar nga BE që shkon afërsisht 1 milion euro dhe bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me 450.000 Euro. Të pranishëm në këtë përurim ishin Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Zëvendës Kryeministri i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, Shefja e Delegacionit të BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, Shefja e Delegacionit të BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, dhe zyrtarë të lartë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, zyrtarë të policive dhe doganave etj.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së inaugurimit, Zëvendës Kryeministrja Mesi u shpreh se ky investim ofron një infrastrukturë moderne, e cila siguron kontrolle kufitare efektive dhe efiçiente në përputhje me të gjitha e kërkesat e BE-së dhe specifikisht sipas standardeve të zonës “Schengen”.

Znj. Mesi ndër të tjera u shpreh: “Rekomandimi që mori Kosova për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimi evropian i Shqipërisë, shtojnë angazhimet e qeverive përkatëse për sigurimin, kontrollin e integruar dhe menaxhimin cilësor të kufijve. Menaxhimi i mirë i kufijve, është jo vetëm garanci për shtetet tona, rajonin & BE-në, por gjithashtu ka rëndësi të veçantë dhe është një bonus në përpjekjet e vendeve tona për të hyrë nesër në familjen e madhe evropiane”.

Tashmë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, janë modernizuar pajisjet dhe ambientet në funksion të lehtësimit të kalimit të shtetasve në të dyja anët e kufirit, ndërkohë që janë plotësuar ambientet e punës për autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e kufirit, migracionit, doganat, kontrollet veterinare dhe fitosanitare. Këto ndryshime do të lehtësojnë së tepërmi edhe transportin e mallrave në këtë pikë kalimi të kufirit, pasi mjetet do të procesohen në një pikë të vetme të përbashkët.

Në këto objekte do të akomodohet specifikisht administrata e Doganës Shqiptare dhe asaj të Kosovës, si dhe Policia Shqiptare dhe ajo e Kosovës. Këtij projekti i është shtuar edhe financimi i Qeverisë shqiptare, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për ndërtimin e Terminalit të autobusëve, Godina e inspektimit (kontrolli i vijës së dytë), Godina e Inceneratorit (për mallrat e ndaluara nga AKU) dhe punime të jashtme duke kompletuar kështu projektin e plotë të Pikës së Kalimit Kufitar.

Projekti i BE për rikonstruksionin e Pikës së Kalimit Kufitar Morinë kishte si synim vendosjen e pajisjeve të reja, shtimin e posteve të punës dhe rregullimin e hapësirave për mjetet e rënda në linjë me procedurat e lëvizjes së zonës Schengen dhe për të lehtësuar hyrjet dhe daljet për import dhe eksport . Një nyjë e rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, pika e re e kalimit kufitar do të krijojë lehtësira dhe shkurtim kohe për qarkullimin e turistëve dhe përpunimin e mjeteve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas.

Leave a Reply