Haradinaj kthehet në Kosovë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Prishtinë. Ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook. Ai ka thënë se nga nesër do të vazhdojë me punë dhe se e ka kryer obligimin ligjorë pranë Gjykatës Speciale dhe ka shtuar se askush nuk mund ta vë pafajësinë e tij në pikëpyetje.

“Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush” shkroi Haradinaj

Haradinaj tha se vendimi për dorë dorëheqje është porosi për abuzimet ndaj Kosovës dhe se shteti nuk do të lëkundet nga e drejta sovrane.

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane” shkroi kryeministri në dorëheqje.

Ai gjithashtu dha edhe mesazhin se nuk do të lejojë të preken kufijtë dhe të krijohet asociacioni i komunave serbe, ndërsa ka shkruar se taksa hiqet vetëm për njohje.

“Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë” shkroi ai.

E Haradinaj ka dhënë edhe mesazh për të gjithë ata që thonë se pas dorëheqjes nuk ka të drejtë kushtetuese për qeverinë. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë për të mos krijuar vakuum qeverisës sepse do të ketë pasoja për vendin.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës” shkroi ai.

Ai i ka sfiduar të gjithë atyre që e shohin veprimin e tij si anti-kushtetues.

“Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj” shkroi ai. 

Leave a Reply