Haradinaj viziton Trepçën: Pasuri jetike për Kosovën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar të enjten gjatë një vizite në minierën e Trepçës se kjo ndërmarrje është një pasuri me rëndësi jetike për Kosovën.

Haradinaj tha se, Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të humbasë pronësinë mbi Trepçën, por duhet të arrihet një partneritet publiko-privat, “që do ta aktivizonte këtë gjigand të fjetur të ekonomisë kosovare”.

“Administrimi i mëtejshëm i Trepçës nga AKP-ja nuk sjell zhvillim, as për Trepçën e as për ekonominë e Kosovës. Ajo sjell një administrim të gjendjes së saj ekzistuese, që është koncept i gabuar e i papranueshëm”, ka thënë Haradinaj.

Ai është shprehur se, riaktivizimi i Trepçës në gjithë kapacitetin e saj nënkupton zhvillim për tërë vendin. “Prandaj institucionet e Kosovës duhet të merren urgjentisht me këtë çështje. Situata aktuale është e papranueshme”, ka shtuar kreu i AAK-së.

Leave a Reply