Historike/ Koalicioni shqiptar fiton zgjedhjet në Tuz

Komuna e Tuzit në Mal të Zi do të drejtohet nga një shqiptar pas rezultatit fitues në zgjedhjet vendore të bashkimit të 3 partive shqiptare përballë Partisë së presidentit Milo Gjukanovic.

Pas mbylljes së numërimit të votave, kandidati i dalë nga bashkimi i tre partive shqiptare me emrin “Malësia na bashkon”, Nikë Gjeloshaj është shpallur fitues përballë kandidates tjetër Mirza Pepic.

Koalicioni shqiptar mori rreth 3682 vota, ose 16 nga 32 mandate në Kuvendin Komunal.

Në zgjedhjet e Tuzit morën pjesë edhe shumë emigrantë shqiptarë të ardhur për të votuar kandidaturën e bashkimit të tre partive shqiptare, Alternativa Shqiptare, Unioni Demokratik dhe Lidhja Demokratike.

Tuzi u nda nga Podgorica në 1 shtator 2018. Për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dolën të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”. Me qëllim maksimalizimin e votave dhe arritjen e një rezultati fitues, tre partitë shqiptare Alternativa Shqiptare (kryetar: Nikë Gjeloshaj), Lidhja Demokratike Shqiptare (kryetar: Nikollë Camaj) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (kryetar: Fadil Kajoshaj) u bashkuan në koalicionin parazgjedhor “Malësia na bashkon” duke ia arritur qëllimit.

Leave a Reply