I akuzuari për terrorizëm shan me nënë trupin gjykues

Nexhat Ademi, i akuzuari për pjesëmarrje në terrorizëm, pas përfundimit të seancës u revoltua në gjykatore duke kërkuar që t’i ndërrohet burgu.

Ademit iu caktua paraburgimi, pasi që sigurimi i prezencës së tij në gjykatë ishte i pamundur, me ç‘ rast edhe u lëshua urdhëresë ndaj tij.

Pas seancës, i akuzuari u revoltua për shkak se kërkonte me këmbëngulje që t’i ndërrohej burgu në të cilin po qëndronte. Ai madje hezitoi edhe të nënshkruante procesverbalin.

Ademi tha se po frikësohet të qëndrojë aty, pasi që të burgosurit e tjerë përreth janë të dënuar për vrasje.

“Kërkoj me ndrru burgun, me dalë në Prishtinë. Njerëzit të shkallës së 5-të të vrasjes. Pse s’po më çoni në Mitrovicë q*** nonën. Unë jam i frikësuar me ndejt në atë burg. S’po du me ndejtë qatje”, tha ai me këmbëngulësi.

Gjykatësi Vesel Ismajli tha se një vendim i tillë nuk është në kompetencë të tij.

Paraprakisht, në seancë u mor vendimi që Ademi t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

Vendimi për ekzaminim iu caktua të akuzuarit, pasi avokati i Ademit, Samedin Cena, pretendoi se i njëjti vuan nga simptomat e harresës, madje nga një shkallë e lartë.

“Familjarët kanë konfirmuar se ka një shkallë të madhe të harresës. Kështu që mungesat e tij në seanca besoj se kanë ardhur nga ky problem”, tha Cena.

Edhe Nexhat Ademi qëndroi pas fjalëve të avokatit të tij, duke treguar për traumat e tij që nga lufta e fundit në Kosovë e deri te frika që po e përjeton në Burgun e Pejës momentalisht.

“Ka kaluar një kohë bukur e gjatë, më është përzier memorja. Depresion kam boll. Kam trauma gjatë luftës. Nuk kam bërë kontroll mjekësor asnjëherë. Pas luftës na kanë shti në salla, na kanë rreh në Beograd. Krejt kresë na kanë rrah. Deri 2005 kam qenë ma mirë. Prej 2005-ës kam pasur problem me kafkën pas”, tha i akuzuari Ademi.

Përkundër faktit se prokurori i çështjes Elez Blakaj, e kundërshtoi kërkesën e avokatit, trupi gjykues e aprovoi atë.

Si rezultat, seanca u shty për një afat të pacaktuar deri te përfundimi i ekspertizës.

Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Prokuroria pretendon se qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra” dhe të angazhohet për krijimin e shtetit islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Në aktakuzë thuhet se Nexhat Ademi qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte “Al-Nusra” dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përveç këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri, por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

Në shtator Nexhat Ademi është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzën për pjesëmarrje në grup terrorist, ndërsa ka deklaruar se është angazhuar që të pengojë shkuarjen e njerëzve tjerë në Siri. /kallxo.com/.

Leave a Reply