India, vatra më “e nxehtë” e Covid në botë

2 shtete amerikane rikthejnë masat shtrënguese

Mbi 19 mijë e 900 raste të reja me koronavirus shënoi India këtë të diel duke regjistruar shifrën më të lartë të infektiveve në këtë vend brenda një dite. Në 24 orë 410 persona humbën jetën duke e çuar shifrën e vdekjeve në mbi 16 mijë.

Rastet më të shumta u raportuan në perëndim të vendit të ndjekur nga kryeqyteti Delhi. Autoritetet kanë lajmëruar se do të hapin një godinë të re si spital Covid ku do të trajtohen 10 mijë pacientë.

Numri i të infektuarve me koronavirus në të gjithë botën është tashmë mbi 10 milionë nga të cilët 501 mijë nuk mundën të mbijetojnë ndërsa rreth 5.4 milion të tjerë janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të kryesojnë listën si vendi më i prekur në botë nga pandemia me mbi 2.5 milionë të prekur dhe mbi 128 mijë viktima. Vendi duket se po përjeton një valë të dytë të fortë të infektimeve të vdekjeve. Për shkak të rritjes së shifrave, pas Teksasit edhe Florida ka vendosur të rikthejë disa nga masat shtrënguese të lëvizjes. Këto vende hapën gradualisht të gjitha aktivitetet pak javë më parë, por tashmë duhet të kthehen mbrapsht pasi epidemia po kthehet me mjaft forcë.

Pas shteteve të bashkuara vjen Brazili 1,3 milion të infektuar dhe 57 mijë viktima i ndjekur nga Rusia. Edhe Irani një vend i goditur rëndë nga pandemia ka vendosur të bëjë të detyrueshme maskën në ambiente të mbyllura.

Leave a Reply