Integrimi i Maqedonisë, Bushati: Respektim germë për germë Marrëveshjes së Ohrit

Shqipëria mbështet integrimin e Maqedonisë, që kalon nëpërmjet zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Ai ka marrë pjesë në takimin me homologë të tij të Nismës për Europën Qendrore, në Ohër.

“Nisma e Europës Qendrore do të vazhdojë të mbetet një mjet efecient në morinë e instrumentëve që kanë për synim konsolidimin e paqes dhe sigurisë në rajon”, tha ministri Bushati. Ai shtoi se, integrimi europian i vendeve jo anëtare të nismës duhet të vazhdojë të mbetet prioritet i kësaj nisme.

“Siguria e secilit vend është e ndërvarur nga siguria kolektive e rajonit dhe, në këtë kontekst, i shërben interesit tonë kolektiv që Maqedonia të adresojë siç duhet krizën aktuale politike. Shqipëria mbetet e vendosur të mbështesë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, i cili kalon nëpërmjet zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në frymë dhe në germë, si dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve, si një faktor shtet ndërtues në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit nuk mund të shihet si një formalitet i thjeshte. Ajo përbën një vizion afatgjatë, bazuar në një histori autentike të bashkë ekzistencës paqësore”, theksoi ministri i Jashtëm shqiptar.

Gjithashtu, Bushati u takua edhe me kreu e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet politike më të fundit në Maqedoni.

Leave a Reply