Investimi i rëndësishëm/ 50 mijë ullinj për gjelbërimin e kodrave të Vlorës

Pyllëzimi i kodrave të qytetit të Vlorës me rreth 50 mijë fidanë ullinj, do të rikrijojë kurorën e gjelbër të qytetit turistik, e dëmtuar prej vitesh nga zjarret apo dora e njeriut.

Pema e ullirit ka qenë simbol i qytetit bregdetar, ndaj dhe Bashkia e Vlorës ndërmori këtë nismë në kuadër të planit kombëtar të gjelbërimit të territorit, që synon mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020.

Bashkia parashikon që ullinjtë të mbillen në kodrat e shpyllëzuara të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli shprehet se “në bazë të metrave katror, qytetarëve që kanë banesa përgjatë kodrave, do t’ju dhurohen nga një rrënjë ulliri falas nga bashkia”.

Ndërsa Prefekti Flamur Mamaj, në një prononcim për ATSH-në u shpreh se në mbështetje të kësaj nisme janë angazhuar të gjitha institucionet, biznesi dhe qytetarët.

“Nisma synon rritjen e sipërfaqes së gjelbëruar jo vetëm në qytet, por në të gjithë qarkun. Dhurimi i ullinjve për qytetarët do të bëhet edhe në ato vende ku ka patur dëmtime nga zjarret. Prefektura e ka mbështetur bashkinë në realizimin e kësaj nisme, duke angazhuar institucionet për të rritur sipërfaqet e gjelbëruara”, tha Mamaj për ATSH-në.

Kjo nismë është pritur mirë nga komuniteti, tha Mamaj, duke ju bërë njëkohësisht thirrje qytetarëve që të plotësojnë dokumentacionin përkatës pranë bashkisë Vlorë, në mënyrë që t’i rikthehet qytetit gjelbërimi i munguar.

Në vendin tonë mendohet se ullinjtë më të lashtë kanë moshë rreth 3000-vjeçare me një perimetër deri në 3 metra.

Kultivimi i tyre është një traditë ndërsa “marka” e vajit të ullirit të Shqipërisë njihet tashmë edhe në tregjet botërore.

Leave a Reply