Ish-zyrtari i lartë i FIFA-s: Blatter u përpoq të manipulonte zgjedhjet politike në vendin tim

Jack Warner, ish-zv.president i FIFA-s, emri i të cilit është në listën e 14 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që po hetohen për skandalin e korrupsionit nga ana e autoriteteve amerikane, deklaroi se e di arsyen e vendimit të Sepp Blatter për t’u tërhequr nga posti i presidentit, vetëm katër ditë nga marrja e mandatit të pestë.

“Blatter e di pse ra, dhe nëse ka persona të tjerë që e dinë këtë, jam edhe unë”- deklaroi Warner nga vendlindja e tij, Trinidad Tobago.

Ish-zv.presidenti i FIFA-s thotë se ka frikë për jetën e tij, ndaj vendosi të bashkëpunojë me FBI-në duke premtuar se do të bëjë publike të gjitha dokumentet që, sipas tij, provojnë korrupsionin në vendimmarrjen për organizimin e botërorëve.

Warner ka qenë një aleat i ngushtë me Chuck Blazer, ish-sekretar i Përgjithshëm i CONCACAF, trupën qeverisëse të futbollit për Amerikën Veriore, Qendrore dhe Karaibet. Blazer ka pranuar marrjen e ryshfetit për botërorët 1998 (të organizuar në Francë) dhe atë të 2010, ( të organizuar në Afrikën e Jugut). Edhe ai tashmë është bashkëpunëtor i FBI-së. Të mërkurën, një gjykatë në Nju Jork vendosi publikimin e një versioni të shkurtuar të dëshmisë së tij, dhënë në 2013-n.

Të përfshirë në hetim janë edhe dy djemtë e Jack Warner. Daryan dhe Daryll po bashkëpunojnë me autoritetet që prej 2013-s, kur u kapën gjatë përpjekjes për të humbur gjurmë duke shpërndarë në shuma të vogla nëpër bankat amerikane një sasi prej 600 mijë dollarësh amerikanë.

Warner foli në një televizon të vendlindjes së tij, ku për herë të parë hodhi akuza që përfshijnë FIFA-n dhe zyrtarë të lartë të saj në çështje politike.

Ai tha se zotëron dokumente të tëra që lidhin Sepp Blatter dhe zyrtarë të tjerë të lartë të FIFA-s me një përpjekje për të manipuluar zgjedhjet e 2010-s në Trinidad Tobago. Dokumentet, thotë Warner, janë në duart e personave të duhur, ndërsa shton se ka të tjera prova që flasin për këtë.

“Nuk do të mbaj më sekrete për ata që kërkojnë të shkatërrojnë vendin që dua më shumë”- tha ai.

Ky qëndrim i Jack Warner është i papritur. Katër ditë më parë, kur sapo ishte përmendur emri i tij në listën e 14 personave të hetuar nga FBI, deklaroi se akuzat kundër tij ishin të fabrikuara nga Shtetet e Bashkuara për shkak të mosvotimit të kandidaturës së SHBA për të organizuar Kupën e Botës.

Leave a Reply