James Rubin s’beson që ndryshimi i kufijve do t’i sillte Kosovës pranimin në OKB

Ish-Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, James Rubin, nuk beson që ndryshimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje paraprake mes këtyre dy shteteve, do të mund t’i sillte Kosovës pranimin në OKB.

Në një intervistë të shkurtër për Kallxo.com, Rubin tha se Rusia është forcuar që nga koha kur ai ka qenë pjesë e diplomacisë amerikane, në vitet 1997-2000.

Rubin ka qenë zëvendës i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në mandatin e dytë presidencial të Bill Clinton dhe ka mbajtur detyrën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit në periudhën e krizës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, duke u bërë figurë e njohur për shqiptarët e Kosovës atëbotë.

Gati dy dekada më vonë, Rubin mendon se lufta në Kosovë përfundoi “goxha mirë” në krahasim me luftërat e tjera pasi një marrëveshje e paqes e arritur në qershor të vitit 1999 mundësoi kthimin e refugjatëve shqiptarë të Kosovës në shtëpitë e tyre.

“Ky ka qenë rikthimi më i shpejtë ndonjëherë i refugjatëve në histori të botës. Më shumë se 1 milion njerëz u kthyen brenda javëve. Ishte e pabesueshme. Ishte parandaluar kasaphanja në Kosovë”, tha ai.

“Kishim një plan të luftës, e kishim botën në anën tonë dhe njerëzit e këqij hynë në burg dhe u përballen me drejtësinë”, rikujton ai.

Tani kur Kosova ka hyrë në vitin e 20-të të çlirimit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke insistuar në idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërsa po kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia shoqëruar me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Por në sytë e Rubin, kjo e fundit ka shumë pak gjasa që të ndodhë për shkak të kundërshtimeve të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, ku mban karrigen e anëtares së përhershme, me të drejtë vetoje.

“Rusët më të mirë të mundshëm i kishim në vitin 1999. Çdo vit ata janë përkeqësuar. E qartë që rusët nuk e duan Kosovën e pavarur sepse mendojnë se kjo është e keqe për ta: çka është e mirë për Amerikën ata e konsiderojnë të keqe për ta dhe edhe pse Rusia nuk ka kurrfarë interesi nacional për Kosovën, ata e bllokojnë vetëm e vetëm e vetëm për inat të Amerikës”, thotë Rubin.

Kur u pyet se a beson që Rusia do ta njohë Kosovën dhe do të mund t’i lejojë ulëse në OKB në qoftë se Serbia e njeh Kosovën, ai tha: “Unë asnjëherë nuk do t’u besoja rusëve. Asnjëherë. E vetmja mënyrë që do të mund t’u besoja, dhe kjo nuk nënkupton se do t’u besoja ndonjëherë, është nëse do të kisha të gjitha garancitë që Rusia do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Por nuk do të bëja asgjë bazuar vetëm në spekulime. Do ta kenë vështirë të mos e pranojnë Kosovën nëse e pranon Serbia por nuk e di a do ta pranonin. Me fjalë tjera, para se edhe të mendoja për këtë çështje, do të duhej të sigurohesha që rusët e pranojnë pranueshmërinë e Kosovës së pavarur nga Serbia”, tha Rubin.

Në opinionin e ish-diplomatit amerikan, Serbia tani po kërkon që ta gjejë një zgjidhje për Kosovën sepse është në qorrsokak.

“Tani kemi lidershipin serb që mendojnë: ‘jemi të bllokuar, nuk ka gjasë që ta çojmë vendin tonë përpara përderisa ta zgjidhim këtë gjë (problemin e Kosovës), kështu që le të dalim me një plan që duket logjik, ta provojmë: ka shumë vende me më shumë serbë se shqiptarë dhe vende tjera me më shumë shqiptarë se serbë dhe të shikohet a mund të ndodh ndonjë ndryshim (në kufi). E kuptoj që do të mund të jenë nisur nga ky pikëvështrim.”

“Por nëse do më pyeste mua qeveria e Kosovës për këtë apo autoritetet në Prishtinë, atëherë kjo do të ishte shumë pyetje e vështirë. Nuk di çka do thosha! Kjo është sikur të më kërkohet të zgjedh mes të qenurit parimor apo të qenurit pragmatik. Po e kuptoj këtë si pyetje se ‘a duhet të jemi pragmatikë dhe të shikojmë nëse mund ta mbyllim këtë rrëmujë, këtë obsesion të Putinit me (mosnjohjen) e Kosovës (në OKB). Pse Putin duhet të brengoset për Kosovën unë këtë nuk e di, sepse nuk është interes nacional rus. Arsyeja e vetme pse ata brengosen është sepse ata (rusët) duan ta nënçmojnë Amerikën, nuk shoh ndonjë interes (tjetër)”, thotë ai.

Por sipas Rubin, një gjë është e qartë, ndryshimi i kufijve të shteteve është një ide që i konvenon dhe që e promovon vazhdimisht vetëm Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që edhe u aplikua me aneksimin e krahinës ukrainase të Krimesë.

“Ne kemi shtyrë idealin se ‘kufijtë në Europë nuk mund të ndryshohen, ata janë të përcaktuar dhe ne nuk duam ta lejojmë politikën, luftën dhe kërcënimet t’i ndryshojnë kufijtë. Në ndërkohë, Putin po e bën këtë çdo ditë në Ukrainë, Krime, çdo ditë ai po e shkatërron këtë parim me luftë. Çdo ditë. Kjo është ajo çka Putin ka bërë, shkatërrimin e parimeve për të cilat ne kemi luftuar (dhe të cilat kanë vlejtur deri tash)”, tha Rubin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *