Jankullovska nuk i duron shqiptarët: Mund t’i shkatërrojmë për një orë

Udhëheqësi i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev publikoi këtë të premte disa biseda të përgjuara, ku sipas tij dëgjohen ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, zëvendësi i saj Ivo Kotevski, ish-shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, si dhe shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, duke shprehur padurimin e tyre ndaj shqiptarëve.

Në një bisedë, ku sipas opozitës flet Jankullovska, ajo dëgjohet duke thënë se brenda një ore mund t’i shtypë shqiptarët, për t’i pastruar përgjithmonë llogaritë me ta.

Zëri, për të cilin Zaev tha se është i Mijallkovit, pajtohet me Jankullovskën, por sipas tij, për një gjë të tillë nevojitet konsensus midis maqedonasve. Opozita nuk e tregoi kohën, se kur janë zhvilluar këto biseda.

Biseda mes Gordana Jankullovskës dhe Martin Protugjer;
Zëri 1 (Jankullovska): Duhet të pastrojmë llogaritë përgjithmonë.
Zëri 2 (Protugjer): Shëndet…
Zëri 1: Jo, këto janë çështje strategjike.
Zëri 2: Sikur të bënin luftë?
Zëri 1: Nëse duam të tregojmë kush është më i fortë, për një orë duhet t’i shkatërrojmë, por idea është që të mos tregojmë muskuj.

Biseda mes Sasho Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës;
Zëri 1 (Mijallkov): Zgjidhje ka, por ne nuk kemi konsensus kombëtar, kurse zgjidhje menjëherë gjendet.
Zëri 2 (Jankullovska): Edhe unë jam për një zgjidhje të tillë, për hir të së vërtetës. T’i pastrojmë përgjithmonë.

Kreu i opozitës maqedonase publikoi edhe disa biseda të tjera të përgjuara, që sipas tij zhvillohen midis Jankullovkës dhe ndihmësit të saj, Ivo Kotevski, lidhur me vrasjen e dy shqiptarëve nga një pjesëtar i Policisë maqedonase në vitin 2012, në qytetin e Gostivarit. Gjatë bashkëbisedimit, ata nuk kursejnë fyerjet ndaj shqiptarëve, për të cilët urojnë të kenë fatin e dy bashkëkombësve të tyre të vrarë.

Biseda midis Ivo Kotevskit dhe Gordana Jankullovskës;
Zëri 1 (Ivo Kotevski): Neve na votojnë maqedonasit dhe reagimi i tyre është “ashtu duhet, që herën tjetër të mendohen se çfarë bëjnë”.
Zëri 2 (Jankullovska): Po, po.
Zëri 1: Sepse ata llogariten si të egër. Nëse e provojnë përsëri, do të humbin edhe dy të tjerë.
Zëri 2: Po, po. Kështu u ngjajnë egërsirave. Pajtohem.

Udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev tha se këto materiale zbulojnë faktin, se qeveria e Gruevskit është nxitësi kryesor i tensioneve ndëretnike në vend.

“Gruevski, ti je krijuesi i krizave në Maqedoni. Nuk ke fytyrë t’i mbrosh forcat e sigurisë, pasi para disa ditëve humbën jetën 8 policë, kurse tani e kemi të qartë pse. Ti krijon kriza të sigurisë së vendit. Punon fshehurazi për shkatërrimin e Maqedonisë, në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve, që dëshirojnë një Maqedoni të qëndrueshme, të sigurt dhe me perspektive evropiane”, është shprehur Zoran Zaev.

Udhëheqësi i opozitës maqedonase tha se protestat masive, që do të fillojnë të dielën, do të vijojnë deri në rrëzimin e kryeministrit Gruevski nga pushteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *