Japoni, përleshje në Parlament për ligjin e ri për ushtrinë

Mbase nuk janë aq paqësorë sa duken apo sa duan të duken, pasi skenat që vijnë nga parlamenti japonez pas miratimit të ligjit të ri për forcat e armatosura i ngjajnë përleshjeve në rrugë.

Ligji kaloi pengesën e radhës dhe u miratua nga paneli i Dhomës së Lartë të Parlamentit mes kaosit që pasoi në sallë. Deputetët e opozitës tentuan fizikisht që të ndalojnë votimin e Komitetit Legjislativ duke sulmuar kryetarin e tij dhe duke u përpjekur që t’i merrnin dokumentet dhe mikrofonin.

Ligji mjaft kontradiktor për forcat e armatosura, për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, i lejon Japonisë që të dërgojë trupa ushtarake jashtë vendit për të ndihmuar aleatët e saj edhe kur vendi nuk është nën sulm. Ky ligj ka ngjallur shumë reagime në jetën politike japoneze, por sidomos në atë publike, pasi sondazhet tregojnë se shumica e japonezëve nuk duan që vendi i tyre të ndërhyjë në luftëra të tjera, por të mbetet një vend paqësor me të drejtën e vetëmbrojtjes.

Ligji nuk është ende në fuqi, pasi ka pengesa të tjera për të kaluar, por analistët thonë se kryeministri Shinzo Abe i ka votat e mjaftueshme për ta miratuar atë. Opozita japoneze është zotuar se do të vazhdojë që të pengojë miratimin e ligjit. Ndërsa zhvillohej debati i ndezur në Parlament, me mijëra protestues ishin mbledhur rreth godinës së legjislativit dhe kërkonin ndalimin e këtij legjilsacioni, që sipas tyre shkel plotësisht parimet paqësore të shtetit të Japonisë.

Leave a Reply