Juristët: Ilir Meta shkeli hapur Kushtetutën, qytetarët kanë votuar Edi Ramën për krijimin e qeverisë, jo Presidentin

Juristët kanë hedhur dje poshtë pretendimet e Presidentit Ilir Meta sa i takon dekretit për Sandër Lleshin. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Idajet Beqiri theksoi se duke qenë se qeveria me në krye kryeministrin ka dalë nga populli, atëherë e di vetë kryeministri se kë vendos në krye të Ministrisë së Brendshme.

“Emërimi dhe shkarkimi i ministrave bëhet nga Presidenti i Republikës mbi bazën e propozimit të kryeministrit. Qeveria dhe qeverisja është e atyre që populli në votim u jep shumicën.

Qeveria krijohet nga kryeministri. E di ai me kë ministër do të punoj për ta patur në kabinetin qeveritar”, tha avokati.

Ai shtoi se vendimi i Metës për të mos dekretuar Lleshin është në shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, kreu i shtetit po tenton të pengojë punën e qeverisë.

“ Mosdekretimi nga Presidenti i Republikës i ministrit që propozon kryeministri, kjo është shkelja më e rëndë që i bëhet Kushtetutës së Republikës, parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe lirisë.

Kjo do të thotë që ti, fituesi i zgjedhjeve, ti që populli të ka mandatuar me votën e lirë, të qeverisësh sipas mendjes “surrugato” të një presidenti, i cili meqenëse ishte i partisë humbëse në zgjedhje, kërkon të sabotojë qeverisjen që do populli, duke i bërë pengesa artificiale kryeministrit që populli i ka dhënë votat për qeverisjen e vendit”, u shpreh Idajet Beqiri.

Ai shtoi se në këtë rast Kuvendi i Shqipërisë mund të vendosë se çfarë do të bëjë me dekretin e Metës.

“Sipas ligjit nëse Presidenti i Republikës nuk e dekreton ministrin e propozuar nga kryeministri brenda 7 ditëve, ose e refuzon emërimin, brenda 10 ditëve këtë dekret e miraton ose e hedh poshtë Kuvendi i Shqipërisë.

Dhe kështu mbyllet cikli, duke i hapur udhën vizitës mjekësore të Presidentit, pasi për asnjë arsye tjetër, veç arsyeve të shëndetit mendor, nuk mund të nëpërkëmbet neni 98 i Kushtetutës së Republikës”, tha Idajet Beqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *